Sociale

Kreu i KLSH-së pret në takim me ambasadorin e Italisë në Tiranë! Alberti paralajmëron bashkëpunim të mëtejshëm: Zini vend delikat në dimensionin e negociatave për hyrjen e Shqipërisë në BE

16 Prill, 18:36| Përditesimi: 17 Prill, 18:57

  • Share

Në kuadër të konsolidimit të marrëdhënieve midis Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe institucioneve italiane, kryetari i KLSH-së, Arben Shehu, priti sot në një takim ambasadorin italian, Marco Alberti.

Gjatë këtij takimi kreu i KLSH-së shprehu mirënjohjen e tij mbi mbështetjen e dhënë nga institucionet italiane në punën e KLSH-së dhe nënvizoi nevojën për konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Nga ana e tij, ambasadori Italian shprehu vlerësimin maksimal për punën e institucionit duke shprehur dakordësinë për të thelluar bashkëpunimin institucional për të promovuar më tej shkëmbimin e frytshëm të eksperiencave në fushat e përbashkëta të bashkëpunimit.

Duke iu drejtuar Kryetarit Shehu, Ambasadori Alberti e cilësoi rolin e KLSH-së si themelor në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

"Ju, zoti kryetar, zini një vend delikat në strukturën dhe arkitekturën e shtetit, mbi të gjitha në dimensionin e negociatave për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku transparenca, rregullsia, saktësia, përgjegjshmëria dhe sistemi i llogarive publike luajnë një rol thelbësor",- u shpreh ambasadori italian në Tiranë.

Gjithashtu, u komunikua për rritjen e prezencës së stafit të KLSH në institucionet italiane si Guardia di Finanza dhe Policia Italiane për marrjen e eksperiencave më të mira në hetimin financiar.

Në takim mori pjesë edhe përfaqësues i Guardia di Finanza për Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi, Kolonel Giampiero Carrieri.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?