Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet e 25 prillit.
Në fjalën e tij në konferencën "Europa një botë që po ndryshon", që u mbajt online, McAllister i uroi Ramës suksese në mandatin e tretë dhe zhvillimet e ardhshme në vend. Po ashtu, si kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, ai tha se vendi i Shqipërisë, sikurse edhe i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, është në BE.
“Z. Rama më lejoni t'ju përgëzoj për fitoren tuaj në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Suksese për mandatin e radhës dhe zhvillimet e ardhshme në vend dhe si kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, sigurisht që e ndjek me shumë vëmendje procesin e zgjerimit dhe besoj se ky proces ka një të ardhme dhe të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen anëtare të BE-së”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama është sot i pranishëm në Itali, ku mori pjesë në konferencën online me temë "Europa një botë që po ndryshon", që u mbajt në orën 14:50.
Në Konferencë u trajtuan sfidat dhe mundësitë për Evropën midis shqetësimeve në rritje mbi emergjencën e klimës, sfidave kryesore ndaj multilateralizmit dhe betejës globale në vazhdim kundër COVID-19.
Po ashtu u diskutua edhe për inteligjencën artificiale, klimën, gjeopolitikën, ekonominë globale, multilateralizmin, paqen dhe të drejtat e njeriut, shëndetin publik dhe autonominë strategjike.
Lajmi kryesor: