Ku po shkojnë shqiptarët e Maqedonisë? Cila duhet të ishte mbështetja nga Tirana? Po faktori shqiptar në Maqedoni, që deri më sot nuk po arrihet që shqiptarët të bëhen shtetëformues apo që gjuha shqipe të jetë zyrtare dhe që palët të bashkëqeverisin çafrë roli ka? Këto janë disa nga tezat, që bëri bashkë historianë, pedagogë dhe intelektualë, në konferencën “Referendumi dhe identiteti shqiptar në Maqedoni”, të cilët diskutuan për këto probleme që shqiptarët e Maqedonisë ballafaqohen çdo ditë.
Dua të bëj një krahasim midis referendumit në Maqedoni edhe në Malin e Zi. Në Malin e Zi shqiptarët ishin në rol përcaktuese, ndërsa në rastin e Maqedonisë nuk kemi palë politike të dukshme, por kemi skepticizëm, ku unë përfshij edhe shqiptarët që deri diku me pjesëmarrjen e tyre mund të luajnë një rol të rëndësishëm vendimmarrës. Ky referendum në Shkencat Politike quhet i parapërcaktuar, për shkak të natyrës së vet referendumit edhe momentit edhe më shumë sesa vlera e votës dhe fletës është thelbi për çfarë votohet, që lidhet me identitetin, integritetin, të ardhmen, si Shqipëri edhe si shqiptar lidhet shumë me vendin fqinjë, me vendin ku Kushtetuta e Shqipërisë parashikon një përgjegjësi të shtetit shqiptar edhe me pozitën e shqiptarëve atje. Prandaj për ne është e rëndësishme që ky referendum të rezultojë pozitivë dhe Maqedonia të jetë pjesë e NATO-së me perspektivë për BE-në.
Afrim Krasniqi, analisti
Referendumi në Maqedoni është një ngjarje shumë e rëndësishme në procesin e konsolidimit të shtetit Maqedonas, si shtet sovran dhe subjekt ndërkombëtar. Referendumi është etapa e tretë drejt përmbylljes së këtij procesi, pas Pavarësisë së shpallur në vitin 1991 dhe pas Marrëveshjes së Ohrit, 2001. Referendumi i Marrëveshjes së Prespës edhe zbatimi i saj i hapën rrugën Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe BE. Referendumi nuk është çështje e brendshme e shtetasve të Maqedonisë, por u intereson shumë palëve edhe BE dhe SHBA, për garantimin e paqes dhe sigurinë në rajon.
Paskal Milo, historian
Politika e degjeneruar shumë çështjen shqiptare në Maqedoni, përfaqësimi është i munguar shumë dhe vetëm simbolika e Besës mund të kthejë shpresën e qytetarëve shqiptarë, që të jenë më aktiv në pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje edhe politikbërjen e shtetit. Ashtu si Kosova po ballafaqohet me sfidën e të drejtës së pakontestueshme për vetëvendosje ashtu edhe shqiptarët e Maqedonisë po ballafaqohen me një krizë të zhbërjes së tyre si të tillë, si shqiptarë. Pra identiteti kombëtar po vendoset në pikëpyetje tek shqiptarët e Maqedonisë.
Bilal Kasami, kryetar i lëvizjes Besa, Maqedoni
Shqiptarët në Maqedoni nuk po arrijnë dot që të gjejnë vetëm edhe politikat konjukturale sllavo-maqedonase kërkojnë që t’i përdorin, si pjesë e pushtetit, por pa pasur pushtet real. Organizatori i këtij aktiviteti Arsim Sinani shprehet se:
Ne dëshirojmë që tani që është në qendër tema e referendumit të flitet për identitetin shqiptarë, edhe Maqedoninë ta shkëpusim nga influenca ruse. Pas referendumit është një moment i mirë i ndryshimeve kushtetuese, që hapet mundësi e mirë që shqiptarët të jenë të barabartë me të gjitha rregullat.
Arsim Sinani
Shqiptarët në Maqedoni e kanë mbështetur Perëndimin dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë, por ata janë të vendosur që pas Referendumit të pozicionohen, që të jenë komb shtetëformues dhe jo më dekor i politikave në Maqedoni.