Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se rruga drejt fundit të pandemisë së COVID-19 është larg, kjo për shkak se shtetet nuk po përdorin të gjitha mjetet e shëndetit në dispozicion në mënyrën më efektive të mundshme.
Ai theksoi se pandemia do të marrë fund, kur njerëzit ta vendosin atë, pasi sipas tij kjo është në dorën tonë.
"Pandemia do të përfundojë kur bota të zgjedhë t'i japë fund. Është në duart tona. Ne kemi të gjitha mjetet që na duhen: mjete efektive të shëndetit publik dhe mjete efektive mjekësore. Por bota nuk i ka përdorur mirë ato mjete. Me pothuajse 50,000 vdekje Një javë, pandemia është larg përfundimit”, tha kreu i OBSH.
Thirrjet e OBSH kundrejt vendeve më të pasura lidhur me vaksinimin e vendeve më të varfra kanë qenë të shumta dhe të vazhdueshme. Tedros i ka bërë sërish thirrje vendeve të G20, qe tashmë kanë vaksinuar 40% të popullsisë të angazhohen mënyrë aktive në mekanizmin e COVAX, për të ndihmuar dhe për t’i qëndruar afër vendeve në nevojë. Ai shtoi se këto vende duhet t’i qëndrojnë pranë edhe platformës afrikane të marrjes së vaksinave (AVAT).
Ditën e djeshme, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres kërkoi nga vendet e G20 të ndihmojnë në mbledhjen e 8 miliardë dollarëve për të siguruar një shpërndarje të drejtë të vaksinave anti-COVID në të gjithë botën.
Duke folur në Samitin Botëror të Shëndetit në Berlin, Gutteres tha se në fillim të tetorit, ai u bashkua me shefin e OBSH-së për të nisur një strategji globale për vaksinimin kundër COVID-19, e cila sugjeron një plan të besueshëm dhe me kosto më të ulët për të ofruar vaksina për 40 për qind të njerëzve në të gjitha vendet deri në fund të këtij viti dhe 70 për qind nga mesi i vitit 2022.