Kreu i OBSH në Tiranë për Report Tv: Masat e forta mbrojtën popullin, kujdes me lehtësimin, strategjia e testeve efektive

10 Prill 2020, 18:48| Përditesimi: 10 Prill 2020, 20:21

  • Share

TIRANE-Këtë të premte kryeministri Rama paralajmëroi lehtësimin e masave të marra në kuadër të situatës të krijuar nga covid-19, kjo duke u mbështetur dhe në kurbën e koronavirusit në Shqipëri. Kreu i OBSH në Tiranë, Raul Gonzales në një intervistë për Report Tv tha se masat e marra nga qeveria kanë mbrojtur popullin shqiptar por cdo hap i ri në lehtësimin e masave duhet bërë me shumë kujdes.

Përsa i përket gjetjes së vaksinës për covid-19, Gonzalez u shpreh se do të duhet të prodhohet sasia e nevojshme, por nuk do të jetë gati më parë se një vit apo një vit e gjysëm. Gonzales flet për një valë të dytë të virusit që është e lidhur me mënyrën se si do të menaxhohet izolimi. Për ceshtjen e testimeve në vendin tonë, kreu i OBSH në Tiranë thotë se numri i testimeve duket se është i mjaftueshëm, kjo pasi po shohim që epidemia është nën kontroll dhe se strategjia e testimeve po jep rezultatet që priteshin.

Rodrigez e mbyll me rekomandimin e OBSH që në përdorimin e maskave të sigurohemi që të jetë gati stoku me maska për punonjësit e shëndetësisë, të cilët janë në vijë të parë për trajtimin e pacientëve me covid-19.

Intervista e plotë

Ora 19:28
Kush duhet të vendosë maskë? Kreu i OBSH-së tregon kategoritë

Kreu i OBSH në Tiranë, Raul Gonzalez shpjegoi në intervistën për Report Tv se cilët janë kategoritë që duhet të përdorin maska. "Edhe kjo është një ceshtje që ka hapur shumë debate në botë. Shoqëri të ndryshme kane qasje të ndryshme ndaj përdorimit të maskave. Shoqëritë aziatike i përdorin maskat gjatë gjithë kohës, edhe para situatës së covid-19, për shembull për shkak të ndotjes. Ne kemi rekomandime të sakta se kush duhet të përdorë patjetër maska dhe cfarë lloj maske. Këto janë punonjësit e shëndetësisë që janë në vijën e parë duke trajtuar persona që mund të jetë të infektuar me covid.

Sigurisht që duhet të përdorin maska me kualitet të mirë. Sigurisht edhe policët por dhe punonjësit në supermarkete janë të riskuar dhe duhet të përdorin maska. Në rastet që njerëzit që po përdorin maskat janë të infektuar dhe nuk kanë simptoma apo shumë pak simptoma, kjo do të mbronte të tjerët. Po ta shohim në këtë kënd do të ishte e vlefshme. Kjo është arsyeja që disa vende po rekomandojmë përdorimin në masë të maskave. Rekomandimi OBSH është që ju lutem të sigurohemi që punonjësit e shëndetësisë të kenë maska dhe të kemi stokun gati për t’ia siguruar këtyre personave. Nëse do të ketë përdorim në masë të maskave ju luteni ndani të dhënat në termat e impaktit të epidemisë" tha ai.

Ora 19:24
Debati për testet, OBSH për Report Tv: Strategjia që po ndjek Shqipëria është efektive

Kreu i OBSH-së në Tiranë Raul Gonzales i jep fund debatit politik për testet. Ai tha sot në Report Tv se strategjia që ka ndjekur Shqipëria ka qenë efektive. "Nuk ka një standard që tregon sa është numri i mjaftueshëm i testimeve. Cdo vend duhet të përshtasë strategjinë e testimit. Numri i testeve në Shqipëri duket se është i mjaftueshëm për të kontrolluar epideminë sepse ne po shohin që epidemia është nën kontroll. Ajo cka nuk mund të fshihet asnjëherë është numri i personave që vdesin dhe numri i personave që janë në terapi intensive dhe është një indikator i mirë për përhapjen e infeksionit. Në Shqipëri ka shumë pak persona në terapi intensive fatmirësisht dhe shpresojmë që shumë pak njerëz do humbin jetën pra epidemia është nën kontroll. Ne shohim që strategjia e testeve në Shqipëri për rastet e dyshuara dhe gjurmimin e kontakteve ka qenë shumë efektive. Në këtë pikëpamje mund të themi që strategjia e testimeve po jep rezultatet që priteshin".

Ora 19:13
Kreu i OBSH-së: Përgëzoj qeverinë shqiptare, mbrojti popullin me masat e shpejta

Raul Gonzales, drejtues i OBSH-së në Shqipëri vlerësoi masat e ndërmarra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. "Duhet të tregojmë solidaritet me familjet që kanë humbur të afërmit e tyre, janë 23 persona, një humbje e madhe për ta. Por në një perspektivë të përgjithshme si shtet, situata është e mirë. Duhet të shohim fqinjët tanë si po vuajnë.  Çka Shqipëria bëri mirë ishte që i nisi  herët masat e izolimit dhe duke pasur 7 raste brenda 24 orëve do të thotë që ka trend të ulët të rasteve. Konfirmon që jemi në një kurbë të sheshtë. Nga fillimi kjo ishte objektiva, ne duhet të përgëzojmë qeverinë, kanë mbrojtur popullin shqiptarë. 7 raste janë pa dyshim një lajm i mirë, sigurisht është e dëmshme për personat e prekur por si shtet është lajm i mirë" tha ai.

Ora 19:08
A është efikase kundër COVID vaksina e tuberkulozit? Ja si përgjigjet kreu i OBSH-së

Kreu i OBSH në Tiranë, Raul Gonzales në një intervistë për Report Tv tha se nuk kemi prova që të themi se vaksina e tuberkulozit ka efekt mbrojtës nga covid-19. "Ne kemi parë disa të dhëna që disa vende që janë të vaksinuara me tuberkuloz kanë më pak raste me covid. Ne duhet të jemi të kujdesshëm, deri tani nuk kemi prova që të themi se vaksina e tuberkulozit ka efekt mbrojtës nga covid-19. Mund të jetë, por na duhet disa studime që ende nuk janë bërë" tha ai.

Ora 19:04
Rikthim i COVID-it pas verës? Kreu i OBSH: S'kemi prova, por kujdes nga një valë e dytë

Raul Gonzales i pyetur nëse pritet një rikthim i covid-19 pas verës, u shpreh për Report Tv se nuk kemi mjaftueshëm prova për të folur për një gjë të tillë. "Për këtë virus nuk do të flisja për sezonet sepse ne po e shohim këtë virus kudo. Ne jemi në hemisferën veriore në pranverë por në hemisferën jugore është vjeshtë. Kështu që nuk do ta merrja të mirëqenë faktin që  do të kemi ndryshime në varësi të stinëve. Më mirë të përdorim konceptin e një vale të dytë që do të ishte më e lidhur me mënyrën si menaxhojmë izolimin. Nuk mund të jemi të sigurt që në momentin që lehtësojmë masat do të kemi me shumë raste. Cështja është sa raste jemi në gjendje të pranojmë dhe me shumë mundësi një gjë që duhet ta përdorim si indikator është sa raste mundet sistemi shëndetësor në cdo vend të përballojë, një valë të dytë të virusit. Prandaj nuk do të flisja për cështjen e stinëve sepse nuk kemi mjaftueshëm prova, por për valë të re virusi' tha ai.

Ora 19:00
Kreu i OBSH: Vaksina do kohë, së shpejti mendoj se do kemi rezultate për efektivitetin e disa ilaçeve

I pyetur nga Report Tv nëse ka të dhëna pozitive për medikamentet që po përdoren në botë për covid-19, kreu i OBSH-së në Tiranë tha se "Është herët për të pasur të dhëna por po bëhen shumë studime, po bëhet dhe një studim klinik (solidarity trial) nga Organizata Botërore e Shëndetit ku po marrin pjesë shumë shtete dhe kam nderin të them dhe që Shqipëria po merr pjesë. Ne po testojmë medikamentet e ndryshme që kanë treguar aktivitet ndaj virusit por na duhen provat. Mendoj se së shpejti do të kemi rezultate për efektivitetin e disa prej medikamenteve" tha ai.

Por, për sa kohë mund të gjendet vaksina? "Cështja e vaksinës është më e komplikuar. Për vaksinën ka shumë institucione në të gjithë botën që po investigojnë për vaksinën nga kënde të ndryshme. Për vaksinën na duhet një kohë më e gjatë për të parë sa efekt do të japi dhe sa e sigurt është.

Medikamentet që po përdorim tani janë medikamente që përdoreshin për qëllime të tjera, kështu që ne e dimë që janë të sigurta, por vaksinat duhet të kalojnë pjesën e efektivitetit por dhe  pjesën e sigurisë. Edhe pasi të kemi gjetur vaksinën ose vaksinat sepse ndoshta do të kemi lloje të ndryshme të vaksinave gati dhe efektive e të sigurta atëherë do të kemi nevojë për përpjekje të jashtëzakonshme për të prodhuar sasinë e nevojshme për vaksinimin e njerëzve. Prandaj themi se vaksina do më shumë kohë dhe nuk do ta kemi më parë se një vit apo një vit e gjysëm' tha ai.

Ora 18:57
Kreu i OBSH: Kujdes me lehtësimin e masave se mund të rritet numri i të infektuarve

Raul Gonzales tha për Report Tv se cdo masë që do të merret për lehtësimin e masave duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe e llogaritur mirë. "Unë mendoj se duhet të jemi shumë shumë të kujdesshëm në lehtësimin e masave, cdo hap i vogël i marrë në këtë drejtim duhet të jetë shumë mirë i llogaritur sepse ne e dimë që covidi është në Shqipëri. Në momentin që bëjmë lëshime për masat, sigurisht që numri i rasteve do të rritet dhe strukturat spitalore do kenë më tepër kërkesa, prandaj unë e kuptoj që duhet një balancë mes lëvizjeve ekonomike dhe nevojës për të mbajtur izolimin për të kontrolluar epideminë por cdo hap i ri duhet bërë me shumë kujdes. Cdo shtet po bën të njëjtën pyetje duhet të bëjmë disa lëshime që të lëviz ekonomia apo jo? Cdo levizje e vogël ju lutem le ta bëjmë me shumë kujdes dhe duke bërë përllogaritjet e ndikimit që do të ketë' tha ai.

Ora 18:55
Kreu i OBSH në Tiranë: Jam optimist, Shqipëria po kontrollon epideminë me masat që mori

Kreu i OBSH në Tiranë, Raul Gonzalez në një intervistë për Report Tv u shpreh se nuk ka një parashikim të rënies së kurbës së pandemisë në përgjithësi, por shtoi se është optimist pasi masat e qeverisë dhe reagimi i qytetarëve bënë që kurba të bëjë një rrafshnaltë.

"Nuk ka një parashikim për covid-19 sepse varet direkt nga masat që cdo shtet ka marrë dhe nivelin e respektimit të popullsisë. Në Shqipëri po shohim që ata që po infektohen janë në gjendje stabël fatmirësisht dhe kjo si rezultat i masave të forta të izolimit që qeveria shqiptare ka marrë dhe reagimi i mirë i qytetarëve ndaj këtyre masave.

Ndaj mund të jemi optimist sepse kurba po bën një rrafshnaltë në Shqipëri dhe kjo është dicka shumë e mirë në kontrollin e pandemisë" tha ai.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?