Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus

Bota

Kreu i OBSH-së: Hendeku i shpërndarjes së vaksinave mes vendeve të pasura dhe të varfëra po rritet çdo ditë

29 Mars 2021, 11:56| Përditesimi: 29 Mars 2021, 12:05

  • Share

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kundërshtuar sërish zgjerimin e hendekut në furnizimin e vaksinave kundër COVID-19, mes vendeve të pasura dhe të varfëra.

“Hendeku mes numrit të vaksinave të administruara në vendet e pasura dhe numrit të vaksinave të administruara përmes COVAX po rritet çdo ditë”, tha kreu i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Për sa kohë virusi vazhdon të përhapet, njerëzit do të vazhdojnë të humbin jetën si pasojë i tij, tregtia dhe turizmi do të vazhdojnë të shkatërrohen dhe rimëkëmbja ekonomike do të vonohet”, shtoi Tedros.

Dy ditë më parë kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus bëri thirrje për ndihmë ndaj komunitetit ndërkombëtar, për dhurimin e 10 milionë doza vaksinash kundër COVID-19, për shtetet me të ardhura të ulëta në kuadër të përpjekjes për mposhtjen e pabarazisë në shpërndarjen e tyre.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të dhurojë 10 milionë doza vaksinash kundër COVID-19 për shtetet me të ardhura të ulëta në kuadër të përpjekjes për mposhtjen e barazisë në shpërndarjen e tyre.

Ai zbuloi se priste që të gjitha vendet të fillonin vaksinimin e tyre brenda 100 ditëve të para të këtij viti. Sidoqoftë, gati 36 vende nuk kanë marrë një dozë të vetme të vaksinës për t'ia administruar njerëzve të tyre.

Ai tha se për 16 vende prej tyre është planifikuar se do të marrin dozat e tyre të para brenda 15 ditëve në vazhdim, ndërkohë për 20 të tjerat nuk dihet ende asgjë.

Agjencia UNICEF i ka bërë gjithashtu thirrje vendeve të pasura për shpërndarjen e drejtë të vaksinave, duke shtuar se nevojiten 510 milionë dollarë për shpërndarjen e vaksinave në të gjithë botën.

"Na duhet ndihmë," tha kreu i UNICEF Henrietta Fore.

Nisma COVAX pritej të shpërndante rreth 238 milionë doza nëpër botë deri në fund të majit dhe deri më tani ka dërguar rreth 32 milionë doza.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?