Përfaqësuesit e bareve dhe restoranteve në vendin tonë presin që nesër Komiteti Teknik i Ekspertëve të lehtësojë masat anti-COVID. Enri Jahaj kreu i shoqatës së bareve dhe restoranteve në një intervistë për Report Tv tha se presin që të hiqet ora policore dhe të shkojmë drejt normalizimit në këtë sezon turistik.
“Neve kemi 2 javë që presim lehtësim masash. Sepse një nga premtimet ka qenë që do rihapet sezoni turistik. Presim nesër që të hiqet ora policore dhe të kemi një hapje drejt normalizimit. Neve na penalizon dhe mbyllja e muzikës që në 8 sepse vijon të jetë një akt absurd. Pasi po ti referohemi numrave, të gjitha janë drejt normalizimit përveç bareve dhe restoranteve”, tha ai.
Duke theksuar se janë ende në rënie drastike të blerjes, Jahaj tha se pritet që baret dhe restorantet ta marrin veten në 2025.
“Përllogaritjet e dëmeve janë të mëdha dhe sipas organizatave simotra të rajonit pritet që ne të rimarrim veten drejt 2025, në 2025 pritet që të kemi një dalje nga kriza e skajshme ku jemi futur. Për momentin jemi drejt një rënie drastike të blerjes. Është bërë normale që njerëzit të konsumojnë vaktet dhe kafetë në shtëpi dhe kjo nuk sjell asgjë tjetër veçse rënie të fuqisë blerëse të bareve dhe restoranteve. Po ti referohemi dhe shifrave të një viti të parë jemi ende në rënie s’ka mbaruar ende rënia. Shpresojmë të kemi masa të lehtësuara që të mos jenë dhe ato një pengesë e mëtejshme e të ardhurave tona. Sepse kjo verë do jetë e vështirë”, nënvizoi Jahaj.