Kreu i Shoqatës së Turizmit: Rinasi aeroport ballkanik ndërkombëtar, po ridimensionon turizmin

11 Korrik, 15:26| Përditesimi: 13 Korrik, 15:28

  • Share

Kreu i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, Zak Topuzi, në një analizë të sezonit turistik dhe numrit të turistëve të ardhur për 6 muajt e parë të vitit, thekson ndër të tjera se Shqipëria është kthyer në një aeroport ballkanik ndërkombëtar, ku ka shumë qytetarë nga vendet e rajonit që po e shfrytëzojnë aeroportin e Rinasit, për shkak të çmimeve shumë të favorshme.

“Shqipëria është kthyer në një aeroport ballkanik ndërkombëtar, me mesatarisht 100 fluturime low cost në ditë, që i kanë krijuar mundësi të gjithë rajonit Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut për të lëvizur dhe ju kushton më lirë të lëvizin tek miqtë ose për të vizituar Europën me 30 deri në 60 Euro,” thekson Topuzi.

Krijimi i mundësisë së lëvizjes low cost përmes aeroportit të Rinasit, ka ridimensionuar edhe turizmin në Shqipëri, sipas kreut të Shoqatës së Turizmit.

“Ti mund të ikësh jo vetëm me pushime një ditë, por ti mund të ikësh në mëngjes dhe të kthehesh në darkë dhe të mbyllësh një cikël të tërë pushimesh duke shkuar që nga Roma, Milano, Barcelona dhe ku të duash ti. Lëvizjet e kësaj natyre janë gati të pakonceptueshme. Në Treviso, një provincë e Italisë ka 5 linja në ditë, nga 200-300 që janë gjithsej që lëvizin,” thotë Topuzi.

Duke analizuar më tej sjelljen e turistëve, apo vizitorëve të huaj, numri i të cilëve në 6 muajt e parë të vitit arriti në 4.5 milionë, Topuzi thekson se Aeroporti i Rinasit është kthyer në pikë kyçe, duke orientuar madje edhe sjelljen e të huajve në vendin tonë.

“Ka një tipologji interesante se duke qenë se aeroporti ndodhet në Tiranë, gati më shumë se gjysma e tyre kanë qarkulluar në territorin Tiranë-Durrës pasi kostoja e transportit për të shkuar në Vlorë, në bregdet, është relativisht më e lartë,” thekson Topuzi.

Për 6 muajt e parë të vitit, Aeroporti i Rinasit ka pritur 4.8 milionë pasagjerë, sipas shifrave zyrtare të publikuara në fillim të muajit korrik nga TIA. Aeroporti raporton një rritje me 65% sa i përket numrit të udhëtarëve, krahasuar me vitin 2022. Në veçanti qershori ishte një muaj me numër rekord udhëtarësh, duke arritur në 1 milionë pasagjerë që kanë përdorur Aeroportin.

SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?