Teksa zjarrfikësit dhe forcat operacionale lokale e qëndrore vijojnë aksionin për shuarjen e flakëve në fshatin Vërnik të Devollit, i rënë prej ditës së djeshme, ka reaguar edhe Genti Xhafka, drejtor i Shërbimit Zjarrfikës në Bashki.
Ai shpjegoi se po punohet me intensitet të lartë, teksa flakët favorizohen nga temperaturat e larta dhe era e fortë. Është parandaluar përhapja e tyre drejt kufirit me Greqinë dhe punohet me shërbime ndihmëse nga forcat e Korçës, Maliqit dhe Pustecit.
"Mesditën e së dielës kemi marrë njoftim rreth orës 13:00 për një zjarr në fshatin Vërnik, në afërsi të fshatit. Më pas kanë shkuar forcat zjarrfikëse dhe aty është favorizuar shumë nga era dhe është përhapur në masë. Kemi kërkuar ndihmë edhe nga bashkitë fqinje, ku erdhën në ndihmë bashkia e Korçës, Maliqit dhe Pustecit. Kanë qëndruar gjatë gjithë natës këtu dhe sot ndodhen përsëri në terren dhe po bëjnë të mundur fikjen e zjarrit. Dje kanë qenë rreth 50 forca në terren, ku jemi munduar të bëjmë fikjen e zjarrit, ndërsa sot (21 korrik) ndodhen rreth 70 forca nga të gjitha bashkitë”, shpjegoi ai.
Xhafka shpjegon edhe bashkëpunimin me autoritetet greke nëse situata do përshkallëzojë. Gjithashtu hetimet janë ende aktive për shkaqet, teksa sipas Policisë është proceduar një 79-vjeçar për zjarr nga pakujdesia.
“Kemi folur dhe me shtetin grek për të bërë ndërhyrje nga ajri, nëse situata do të agravojë pak më shumë. Lidhur me shkaqet e zjarrit po bëhen hetime, akoma nuk kemi një konkluzion, është policia që do japë një informacion. Bëhet fjalë për një vatër me një sipërfaqe shumë të gjatë e të gjerë", tha zyrtari vendor.
Lajmi kryesor:
Zjarret/ 4 avionë nga Greqi e Italia ndërhyjnë në malin e Dukatit në Vlorë e ‘Liqenin e Luleve’! Flakë në Shijak e Bilisht, Vengu në terren
A.Q/I.M/ReportTv.al
