Pas premtimit të kryeministrit Edi Rama për të vaksinuar heronjtë të cilët prej më shumë se një viti po përballen me COVID-19 në Kosovë, gjatë ditës së sotme është njoftuar se do të nisen drejt Shqipërisë 60 mjekë për të marrë dozën e parë të vaksinës.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, me anë të një deklarate, të cilët kanë treguar se ata do të vaksinohen në Kukës.
“Ministri Zemaj e ka informuar homologen e tij, ministren Ogerta Manastirliu për listën e vullnetarëve për vaksinim dhe në koordinim midis autoriteteve të dy shteteve, do ta bëhet edhe aranzhimi i aspekteve logjistike dhe vaksinimi i tyre,” thuhet në deklaratë.
Ministria e Shëndetsisë ka bërë me dije se lista është hartuar nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitare të Kosovës, bazuar në shprehjen e gatishmërisë së Shqipërisë për të ndihmuar në vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve të cilët janë në vijën e parë të luftës kundër COVID-19.
Ndërkohë do të pranohen edhe vullnetarë të tjerë të cilët shprehin interesim për vaksinim brenda numrit të ofruar të dozave për profesionistët nga Kosova, derisa procesi të fillojë në vend.
Kryeministri shqiptar ka ofruar 500 doza për Kosovën, e cila deri tani nuk ka marrë një dozë vaksine dhe është në pritje të COVAX.