Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka shpallur krijimin e Komandës Kibernetike dhe Ndërlidhjes si një moment historik për mbrojtjen e Shqipërisë në epokën dixhitale, gjatë një ceremonie solemne ku morën pjesë përfaqësues të lartë të shtetit dhe aleatëve ndërkombëtarë.
Në fjalën e tij, Vengu theksoi se siguria kibernetike është një komponent strategjik në mbrojtjen kombëtare, duke risjellë në kujtesë sulmet kibernetike të vitit 2022 që goditën institucionet shqiptare.
“Në një botë dixhitale, mbrojtja e hapësirës kibernetike është po aq e rëndësishme sa mbrojtja e integritetit territorial të vendit,” - u shpreh ministri, duke e cilësuar komandën si një strukturë që i përgjigjet me vendosmëri sfidave të reja të sigurisë.
Në krye të kësaj komande është caktuar gjeneral Hamdi Doda, një figurë me eksperiencë të gjatë në Forcat e Armatosura.
Ministri bëri të ditur se themelimi i kësaj komande është rezultat i një procesi pesëvjeçar, i mbështetur fort nga aleatët strategjikë të Shqipërisë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Komanda e re vjen me një qasje bashkëkohore dhe dinamike, por edhe me një trashëgimi të vlefshme, pasi elementët e parë ndërlidhës në Forcat e Armatosura janë themeluar që në vitin 1931,” -deklaroi Vengu.
Sipas tij, kjo iniciativë forcon pozicionin e Shqipërisë në arkitekturën rajonale të sigurisë, veçanërisht në kuadër të aleancës së NATO-s dhe përballë sfidave që sjell zhvillimi teknologjik.
Me krijimin e kësaj komande, Ministria e Mbrojtjes shënon një kapërcim cilësor në përballimin e rreziqeve kibernetike, duke vendosur themelet për një mbrojtje më të sigurt dhe më efikase në dekadat që vijnë.
Komente
