Krijohet shoqëri aksionere për menaxhimin e inceneratorit të Fierit! PD e Bashës kundër: Rithemelimi pazare me PS-në në Këshillin Bashkiak

15 Prill, 15:27| Përditesimi: 15 Prill, 15:46

  • Share

Këshilli Bashkiak i Fierit miratoi me shumicë votash krijimin e një shoqërie aksionere për trajtimin e mbetjeve urbane. Kjo shoqëri, ku aksionere janë 6 bashkitë e qarkut të Fier ka për detyrë menaxhimin e landfillit që ndodhet në Mbrostar, brenda territorit të inceneratorit të Fierit.

Në fakt inceneratori është në sekuestro preventive, por Bashkia e Fierit paraprakisht ka lidhur kontratë qiraje me Agjencinë Shtetërore të Pasurive të Sekuestruara për të depozituar mbetjet urbane të 6 bashkive. Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Fierit për krijimin e shoqërisë aksionere u zhvillua me dyer të mbyllura, ku nuk u lejua pjesëmarrja e mediave. Në përfundim të saj, reagoi ashpër kryetarja e PD-së së Bashës, Eriselda Zotaj Çelaj e cila akuzoi Rithemelimin se ka bashkuar votat me PS-në.

“Sot arroganca e Rilindjes shkarkoi nënkryetarin e këshillit bashkiak, Endri Jaupaj, të bezdisur nga oponenca e PD. Ata kanë bërë pazare në skuta të errëta, Rilindja dhe Rithemelimi”.- tha Çela.

Çela shton se vendimi është marrë nga këshilli bashkiak në kundërshtim me ligjin.

“Bashkia duhet të bëjë transparence mbi marrëveshjen? A është e pajisur me leje mjedisore me cilin NIPT është regjistruar shoqëria? A do të rrisë taksat për qyteratët fierak? Sa është çmimi për ton i mbetjeve?'- u shpreh Çela.

Ndryshe nga kryetarja e PD-së së Fierit, anëtari i Rithemelimit në Këshillin Bashkiak Ilia Fili tha se vendimi për krijimin e shoqërisë aksionere do të sjellë përmirësim në menaxhimin e mbetjeve urbane për 6 bashkitë.

“Miratimi i shoqërisë SHA që do të veprojë për trajtimin e mbetjeve urbane. Sjellin mbetjet të gjitha bashkitë e qarkut Fier kundret një pagese. Shoqëria që u miratua sot statusi i saj në Këshill do të ketë detyrë funksionimin të kësaj qendre deri në momentin kur shteti do të veprojë në vendosjen në funksion të inceneratorit", tha ai. 

Për aferën korruptive të inceneratorëve Gjykata e Posaçme Kundër Korrpusionit (GJKKO) në Shkallën e Parë ka dënuar ish-ministrin Lefter Kokën, Alqi Bllakon dhe 13 të pandehurit e tjerë. Ndërsa çështja ka kaluar në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

REAGIM I BASHKISE SE FIERIT PER MBLEDHJEN E KESHILLIT BASHKIAK

Sot në datë 15.04.2024, u zhvillua Mbledhja e Këshillit të Bashkisë Fier.

Në përfundim të mbledhjes nga ana e Këshillit Bashkiak Fier u morën këto vendime:

1. Vendim për deklarimin e mbarimit të parakohshem të mandatit të anëtarit të Këshillit Bashkiak Fier, për këshilltaren M.L, përfaqësuese e Partisë Socialiste.

2. Vendim për dhënien e mandatit të anëtarit të Këshillit Bashkiak Fier, për këshilltaren B.C, përfaqësuese e subjektit politik PDIU, në zbatim të vendimit nr 36 dt.09.04.2024 të KQZ; kryerjen e betimit solemn, dhe firmosjen e formulës së betimit nga kjo këshilltare

3. Vendim për trajtimin me ndihmë financiare të familjes së shtetasit Sh.T, Lagja 1 Maji, Njësia Administrative nr 1, i dëmtuar nga zjarri i datës 16.03.2024.

4. Vendim për trajtimin me ndihmë financiare të familjes së shtetasit T.B, Fshati Kraps, Njësia Administrative Portez, i dëmtuar nga zjarri i datës 15.03.2024.

5. Vendim për miratimin e aktit të themelimit dhe statutit, të Shoqërisë Aksionare të përbashkët të themeluar nga gjashtë bashkitë e qarkut Fier “Shoqëria e trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier” sh.a

6. Vendim për rishpërndarje fondesh në buxhetin e Bashkisë Fier, të miratuar me VKB nr 133 dt.21.12.2023

7. Vendim për shkarkimin nga detyra të Zv/Kryetarit të Këshillit të Bashkisë Fier, Z. E. Jaupaj, mbi bazën e mocionit të mosbesimit të paraqitur nga një grup këshilltarësh.

Në mbledhjen e këshillit bashkiak ishin prezent 40 këshilltarë, nga 51 anëtarë që ka gjithsej Këshilli Bashkiak Fier

Në procesin e votimit të fshehtë, për shkarkimin e ZvKryetarit të Këshillit të Bashkisë Fier, Z. E. Jaupaj, morën pjese 35 këshilltarë,  nga të cilët 29 këshilltarë votuan pro shkarkimit dhe 6 këshilltarë votuan kundër.

Vendimi për miratimin e  aktit të themelimit dhe statutit të Shoqërisë Aksionare  të përbashkët të gjashtë Bashkive të Qarkut Fier “Shoqëria e trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier” sh.a,  u miratua me 35 vota pro,  4 vota kundër dhe 1 absternim.  

Vendimi për rishpërndarjen e fondeve në buxhetin e bashkisë dhe ngurtësimin e shumës prej 5.100.000 lekë, që i përket shlyerjes së kontributit në para, të 51% të aksioneve, të aksionerit Bashkia Fier në Shoqërinë Aksionare  të përbashkët të gjashtë Bashkive të Qarkut Fier “Shoqëria e trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier” u miratua 38 vota pro dhe 1 vota kundër dhe 1 absternim.

Vendimet e tjera u miratuan me unanimitet nga këshilltarët prezent në mbledhje.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?