Dibër- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme (2 gusht) në Maqellarë të Dibrës.
Bëhet fjalë për një krim në familje, ku djali në rrethana dhe shkaqe ende të paqarta, ka plagosur me thikë nënën e tij.
Policia bëri me dije se arrestoi Irles Sula, 26 vjeç, pasi ka plagosur me mjet prerës thikë, nënën e tij, Nexhmie Sula, 50 vjeçe. Ngjarja ka ardhur pas një konflikti në familje.
E plagosura, për shkak të plagëve kritike është dërguar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi mori ndihmën e parë në spitalin rajonal. Mësohet se ajo ka disa plagë nga goditjet në pjesë të trupit.
Nga hetimet paraprake dhe informacionet e mbledhura mësohet se Itles Sula pas një periudhe të gjatë në emigracion, vuante nga stresi dhe gjendja depresive mendohet si një nga shkaqet e ngjarjes së rëndë. Ai kishte mbaruar arsimin e lartë. Kurse nëna e tij ishte drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare të Pocestit në Dibër.
Report Tv ka siguruar edhe foton (kryesore) e të plagosurës, e cila këtë vit festoi edhe 50-vjetorin (me shënimin në tufën e luleve dhuratë).
"Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, se në fshatin Pocest, Maqellarë, kishte ndodhur një konflikt në familje, menjeherë kanë shkuar në adresën e marrë. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi I.S., 26 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë), nënën e tij shtetasen N.S., 50 vjeçe, e cila ndodhet në spitalin e Traumës, në kujdesin e mjekëve", bëri me dije policia vendore.
Mjeti prerës (thikë), është sekuestruar në cilësinë e provës, kurse materialet procedurale të rastit iu referuan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.
Komente
