Kreu i SPAK, Altin Dumani u pyet edhe për krimet zgjedhore. Teksa raportoi në KLP, ai tha se në faqen e hapur për krimet zgjedhore, ka pasur raportime për raste konkrete.
Dumani vlerësoi gjithashtu edhe bashkëpunimin e ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme, policinë dhe KQZ për këtë çështje.
“Kemi dërguar prokurorë dhe hetues në qendrat e qarqeve, janë në bashkëpunim të ngushtë dhe komunikim të përditshëm me Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Policinë e Shtetit me qëllim marrjen e informacioneve në kohë reale, vlerësimin e informacioneve në kohë reale se ku do të adresohet në SPAK apo Prokurorinë e Përgjtihshme dhe më tej edhe ndjekjes penale. Kemi krijuar në faqen zyrtare një model denoncimi nga publiku, ku kemi pasur raportime për raste konkrete dhe vlerësohen nga një grup pune i ngritur nga SPAK për herë të parë.
Duhet evidentuar dhe është e qartë angazhimi i tre institucioneve, i SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme, dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm në qarqet ku ushtrojnë kompetencë si dhe KQZ. Kemi nënshkruar jo vetëm dokumentin që rregullon bashkëpunimin mes tre institucioeve por kemi caktuar persona konkretë për shkëmbimin e informacionit për tre agjencitë. Jemi në komunikim të drejtpërdrejtë dhe i kënaqur nga bashkëpunimi me Prokurorinë dhe KQZ. Jemi të angazhuar në drejtim të parandalimit dhe më tej edhe të ndjekjes penale”, tha Dumani.
Lajmi kryesor:
Dumani në KLP: U përballëm me sulme, por s’ndalim punën! Shqetësim zvarritja e seancave paraprake! Kritikat e Ramës? Dëshmitë do jenë me audio dhe video! Prokurorët të rikandidojnë, jo riemërim
Xh.D/r.k./ReportTv.al