TIRANË- Strategjia e hartuar për krimet zgjedhore nga SPAK ka marrë mbështetjen nga ambasadorët e selive diplomatike në vendin tonë. Ka qenë vetë Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë, e cila në një postim në platformën ‘X’ bën me dije se kanë pritur në takim bashkë me ambasadorët e tjerë, kreun e SPAK, Altin Dumanin, Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela dhe kreun e KQZ, Ilirjan Celibashi.
Ambasada Britanike në Tiranë, ku edhe u zhvillua takimi, shkruan se mbështet angazhimin e Shqipërisë për të garantuar që zgjedhjet e 11 majit të jenë transparente, të ndershme dhe të sigurta.
“Ambasada Britanike ftoi Kryeprokurorin e Posaçëm, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Komisionerin Publik të Zgjedhjeve për të informuar ambasadorët mbi strategjinë e hetimit dhe parandalimit të krimeve zgjedhore, e publikuar në vitin 2025. Sesioni i informimit trajtoi qasjet kolektive dhe individuale të institucioneve në hetimin e shkeljeve zgjedhore, duke marrë parasysh mjedisin aktual të operimit, si dhe strategjinë për të minimizuar rreziqet e mundshme në procesin e ardhshëm zgjedhor.
Marrëveshja e re mes Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u mirëprit nga komuniteti ndërkombëtar si një hap i rëndësishëm për të siguruar qartësi në rolin dhe përgjegjësitë e secilit institucion. Ambasada Britanike mbështet angazhimin e Shqipërisë për të garantuar që zgjedhjet e 11 majit të jenë transparente, të ndershme dhe të sigurta”, njofton ambasada e Britanisë.
Një Task-Forcë e posaçme të drejtuar nga Altin Dumani, grupe të shpërndara në terren në të gjitha bashkitë dhe një platformë informimi nga qytetarët janë pjesë e planit të SPAK për parandalimin e krimeve zgjedhore për 11 majin. Task-forca e SPAK do të përbëhet një strukturë qendrore dhe grupet hetimore të shpërndara në terren gjatë periudhës zgjedhore, ku do të bëjnë pjesë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, staf administrativ mbështetës në të 12 qarqet dhe 61 bashkitë. Në Tiranë struktura qendrore do të drejtohet nga vetë Altin Dumani.
Komente
