Ngjarjet e ditëve të fundit në qytetet më të “nxehta” të vendit si Vlora, Shkodra, Tirana, Elbasani apo dhe Tepelena e Gjirokastra, ngrejnë nevojën e një lufte pa kompromis ndaj krimit. Vrasjet e fundit në Vlorë, shpeshtimi dhe guximi i vrasësve me pagesë duke mos u ndalur edhe para pranisë së fëmijëve të viktimave të tyre, duhet të nxisin organet e drejtësisë të hartojnë një plan të gjërë për të mposhtur krimin. Mund edhe ta parandalosh, apo edhe ta zbulosh, por ta mposhtësh mbetet një objektiv që duhet të jetë parësor për Policinë e Shtetit, prokurorinë dhe gjykatat. Krimi duket sikur ka marrë “zemër”, dhe pikërisht pas zgjedhjeve, kur e gjithë vëmëndja e opozionit publik është drejtuar nga zhvillimet e përditshme të KQZ-së dhe KAS-it.
Pothuajse çdo 48 orë, po dëgjojmë të ketë ndodhur vrasje në Vlorë, Shkodër, Lushnje, Elbasan, Tiranë, në mes të ditës dhe natës, në mes të qyteteve dhe pranë banesave të viktimave të shënjestruara. Kjo situatë ka ngritur një situatë alarmi tek qytetarët e thjeshtë, dhe natyrisht ka angazhuar gjithë strukturat ligjzbatuese të shtetit. Por ndoshta kjo nuk mjafton. Krimi duket sikur nuk pyet më për uniformat e shtetit, nuk pyet edhe për praninë e njerzve të pafajshëm pranë objektivit që programohet për tu vrarë. Skena të tilla kemi parë përgjatë gjithë muajit të kaluar dhe ditët e para të muajit Qershor. Ndjeshmëria qytetare ndaj veprave të tilla penale po rritet, aq sa po rritet kërkesa e tyre për masa të rrepta ndëshkimore ndaj autorëve të vrasjeve. Nuk mund të vazhdohet më me mënyra të tilla rutinë, si “merr kamerat e sigurisë, rindërto skemën e krimit, shpall në kërkim autorët”, apo dhe duke u treguar tolerantë me “të fortët” që edhe kur kapen me armë dhe me makina 100 mijë euroshe, dalin prej qelive sapo mbushin 72 orët.
Drejtësia e re po sabotohet në rrethe nga vemjet e drejtësisë së vjetër, të cilët akoma nuk kanë kaluar Vettingun, dhe po bëjnë namin duke liruar elementët me precedentë kriminalë, që janë kontigjenti i sponsorizimit të vrasjeve që kanë ndodhur, apo dhe mund të ndodhin. Krimi duhet të mposhtet, dhe do të mposhtet. Por kjo bëhet realitet jo duke u sjellë si të trembur me elementët me precedentë kriminal, jo duke u sjellë me delikatesë ndaj atyre që sapo ndalen nga policia, ndezin celularin dhe marrin “mikun” në telefon dhe sfidojnë uniformat e shtetit. Në Policinë e Shtetit, ka akoma personazhe të tillë, që kanë hyrë dhe kanë dalë nga ajo strukturë 5-6 herë përgjatë gjithë këtyre viteve, dhe se akoma nuk kanë mbyllur hesapet me organet e drejtësisë. Të tillë ke akoma në çdo komisariat në rrethe, (të cilët vegjetojnë dhe sabotojnë aksionet e kolegëve të tyre) aq sa qytetarët thonë se “falë tyre të fortët bëjnë harakiri rrugëve, hyjnë dhe dalin nga qelia sikur nuk ka ndodhur gjë”. Krimi duhet të mposhtet me njerëz të motivuar, me policë të ndershëm dhe të përkushtuar, me prokurorë dhe gjyqtarë të pakorruptuar, ndryshe ajo betejë do të quhet e humbur.
Funksionimi i SPAK-ut, apo dhe organeve të spastruara të drejtësisë së re, goditjet e fundit të rasteve korruptive ndaj gjyqtarëve (që kundrejt milionave kanë nxjerrë nga burgu kriminelë) dhe funksionarëve të shtetit, ka ngjallur shpresën e madhe se krimi do të marrë goditje fatale. Askush më mirë se kjo Polici e Shtetit, krejtësisht e depolitizuar pas reformave, nuk mund të përballet me sukses në betejën me krimin, bandat dhe sponsorizuesit e tyre me kollare.