Foto ilustruese

Krimi ka emër… Beograd

30 Nëntor 2020, 12:21| Përditesimi: 1 Dhjetor 2020, 08:08

  • Share

Se liria ka emër nuk ka asnjë dyshim, por edhe se krimi ka emër, poashtu nuk ka asnjë dyshim. Kosova vazhdon të jetoj mes këtyre dy kategorive.

Sot bëhën 23 vjetë që kur doli publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila lirisë i dha emër dhe kuptim, ndërkaq krimi kohë të gjatë është bërë në Kosovë si dhe në të gjitha viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi dhe vazhdon edhe më tutje të bëhët pa u ndëshkuar.

Ashtu si liria që ka emër, ka adresë, edhe krimi ka emër dhe adresë dhe adresa ku ai po hetohet, është krejtësisht e gabueshme.

Emri dhe adresa e krimit nuk është Kosova. Atë duhet kërkuar në Beograd dhe jo vetëm kërkuar e gjetur, por atë edhe duhet ndëshkuar në mënyrën më meritore.

A ka për këtë dëshmi më të madhe se masakrat në masë dhe varrezat masive gjithandej Kosovës. A ka dëshmi më madhe se Prekazi, Çirezi, Gjakova, Meja, Suhareka, Krusha, Landovica, Çyshki, Berzheniki, Lubeniqi, Raçaki, Abria, Sllovia, Nakarada, Vushtrria, Mitrovica, Llozhani, Korisha …?

Po varrezat masive të bëra me urdhër të Beogradit e në emër të Beogradit si Batajnica, 744 trupa, Petrovo Sello 61 trupa, Peruçaci 84, Rudnica 52 dhe tani së fundi edhe Kizhevaki afër Rashkës me 15 trupa të vorrosur në thellësi 4 metra, varrezë kjo e cila krejtësisht mbeti nën hijen e slloganit dhe spoteve „Liria ka emër“.

E gjitha në të vërtetë filloi nga një raport që gjenezën e kishte në Beograd, me akuzën për trafikim organesh, thua se ato ishin dardha që mund të futeshin në xhep dhe të dërgoheshin aty ku do të donte filani apo fisteku.

Por ato nuk ishin dardha dhe shqiptarët e të dy anëve të Drinit nuk i kishin as mundësitë më minimale për ta bërë një gjë të tillë, madje as ta imaxhinonin.

Mundësitë i kishte Serbia dhe vetëvetiu 956 trupat e shqiptarëve fëmijë, burra, gra, të moshuar, të gjetur nëpër varrezat masive nëpër Serbi dhe 1654, hiq 15-shën e fundit të gjetur në Kizhevak, patjetër të shtyjnë besosh thellë se veprimtaria kriminale e trafikimit të organeve është bërë në Beogrd, i cili është sinonim i të gjitha krimeve që kanë ndodhur mbi shqiptarët.

Fundja, çfarë do të kërkonin në Batajnicë , krejtë afër Akademisë Ushtarake Mjekësore (Vojno Medicinska Akademija) 744 trupat e gjetur aty?

Është mirë që ne me gjithë forcën tonë të tregojmë se liria ka emër dhe se emri i saj është UÇK, por liria as si emër e as si kategori nuk është e plotë pa u ndëshkuar krimi e gjenocidi serb mbi shqiptarët, prandaj, është dashur dhe duhet që me të madhe të thirret dhe të drejtohet gishti në emrin dhe adresën e krimit dhe gjenocidit, në Beograd e jo të futet koka në rërë si e strucit si ka ndodhur gjatë këtyre 21 vjetëve të shkuara!

Qe sa vjetë radhazi zhvillohen bisedime me Serbinë dhe cili është rezultati i këtyre bisedimeve? Kosova nga viktimë u shndërrua në agresor, dhe jo për asgjë tjetër pos për shkak të neglizhencës, lëshuarjes pe e mbylljes së veshëve e syve si dhe kompromiseve e lëshimeve të njëpasnjëshme Serbisë, siç e dëshmoi në një intervju para pak kohe edhe ish Kryeministri Haradinaj.

Madje edhe kur kërcënohen nga zyrtarët e lartë serbë ata që mund t’i tregojnë varrezat masive të shqiptarëve në Serbi, Kosova ose heshtë ose bënë një reagim të lodht që nuk i kalon kufijtë e Prishtinës apo faqet e portaleve të Kosovës.

Shpeshherë krijohet përshtypja nga deklaratat e zyrtarëve të Kosovës se për krimet aq monstruoze të kryera mbi shqiptarët, do të mjaftonte një kërkim faljeje nga Vuçiqi, roli i të cilit në luftën e Kosovës nuk ishte hiç më i vogël se ai i Göbbels-it gjatë Luftës së Dytë Botërore, thua se kërkimfalja do të ishte ndëshkimi më i rëndë për Serbinë për ato krime mbi shqiptarët.

As marrëveshjet me Serbinë – Beogradin, as pajtimi me Serbinë, as kërkimfalja nga Serbia, e cila as që e ka ndërmend ta bëjë, nuk duhet të ndodhin pa u ndëshkuar në mënyrën më meritore krimi, i cili emrin e ka Beograd dhe për këtë organet shtetërore të Republikës së Kosovës nuk duhet të pushojnë së kërkuari këtë ndëshkimin !

*Shkrim i botuar në nr. të gazetës Lëvizja, me 28 nëntor 2020.

E.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ibish Neziri: 01/12/2020 07:54

    Lexues të nderuar, në këtë shkrim më është përvjedhur një gabim në fjalinë „ Sot bëhën 22 vjetë që kur doli publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës...“ Duhet të jetë: „Sot bëhën 23 vjetë...“ Ju kërkoj ndjesë! Autori

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?