Junida Muharemaj, 33 vjeçe, tentoi të blinte një aparat celular në Shqipëri, por me të dhëna bankare amerikane. Ndryshimi i vendndodhjes me të dhënat e bankës bëri që kompania ku do të kryente blerjen online të dyshonte. Pas denoncimit në Policinë e Shtetit, Njësia C zbuloi se Muharemaj kishte vjedhur të dhënat e huaja bankare, dhe pas kësaj u arrestua.
Si Junida u zbuluan 534 raste në 2021-shin. Rastet e zbulimit u dyfishuan, krahasuar më vitin 2020. Për inxhinierit IT, Besmir Semanaj, pozitiv është fakti që policia po i kushton vëmendje këtij lloj krimi të ri.
“Lajm i keq është që numri është rritur, por unë e shoh në aspekt pozitiv, policia ka rritur kapacitetet e zbulimit në njëfarë mënyre. Në arenën ndërkombëtare krimi kibernetik ka rritje tepër të madhe, sidomos në 2021-shin, ndërsa në Shqipëri zbulimi i tyre ishte tepër i vogël. Pozitive është që policia po merret me këto krime”, thotë Semanaj.
Por, a ka ndikuar pandemia në rritjen e rasteve të krimeve kibernetike?
“Njerëzit kanë akses më të lartë në internet, për shkak edhe të pandemisë. Po punohet nga shtëpia, ku kushtet e sigurisë kibernetike janë shumë më të ulëta, pasi në zyrë jeni të mbrojtur pas një rrjeti netëork që ka parametra sigurie”, vijon eksperti.
Në pjesën më të madhe të rasteve shtetasit shqiptarë sulmohen nga të huajt në krimet kibernetike.
“Qytetarët shqiptarë janë viktima të rrjeteve ndërkombatëre. Një pjesë e madhe e qytetarëve nuk kanë dijeni të mjaftueshme të përdorimit online të kartave”, deklaron inxhinieri Semanaj.
Publikimi i të dhënave personale pak muaj më parë do të ketë ndikim të lartë në vazhdim. Sipas Semanaj, puna e hakerave është lehtësuar.
“Rrjedhja e të dhënave personale ka bërë që hakerimi të jetë më i thjeshtë. Shteti shqiptar u ka lehtësuar gjysmën e punës hakerave. Pjesa tjetër është më e thjeshtë. Qytetarët të jenë të kujdesshëm në faqet ku blejnë, të kujdesshëm për rrjetet ku lidhen me ëifi publik. Antivirusin që duhet të na mbroj shqiptarët e duan të fundit, por pa para”, përfundon Semanaj.
Krimi kibernetik ka pasur rritje të madhe në të gjithë botën. Për shkak të shërbimeve online, pre e tyre kanë rënë edhe shqiptarët.