Kriminelë rrini rehat! Prokuroria s’ruan dot materialet e veta

5 Qershor 2019, 20:34| Përditesimi: 5 Qershor 2019, 20:36

  • Share

Ka një kënaqësi gati perverse që këto ditë, kur Shqipëria gjendet në procesin e hapjes së negociatave, t’i kundërvihen të gjithë. I kundërvihen politikanët e opozitës, të huajt, e shkallmojnë njerëzit e PS-së me kinezëritë e tyre të panumërta dhe i vendosin në fund vulën e kaosit njerëzit e prokurorisë me apatinë e tyre. Sot, për habi, njerëzit kanë e ndajnë të njëjtin mendim: Ne duhet të administrohemi si protektorat!!

Neveria më e madhe shkon te politika dhe kinse pastërtia e tyre. Akuzat se një palë ka vjedhë votat shkon ndesh me parimin bazë që ne e dimë dhe e shikojmë: PD, LSI dhe PS janë në garë të rrëmbejnë gjithçka, kurse historia e tyre me votat nuk ka fund. Jo se partitë e tjera nuk duan të bëjnë të njëjtën, porse mundësia e tyre është e limituar të futet në tavën e partive kryesore.

Përsëritja, në fakt, ose të rejat e gjetjeve të përgjimeve në median e huaj ka lënë shteg për interpretime por edhe të vërtetën e dosjeve 339 dhe 184. Prokurorët që i kanë në administrim këto dosje, autoritetet e vetme në ndjekjen penale për çështjet që lidhen me to, realisht janë përgjigjur publikisht dhe janë justifikuar, por habitshmërisht u kanë rrjedhur elementë, që askush nuk e thotë deri më tani se cili është fajtor. Paçka se është e vështirë të përcaktosh qartë se çfarë po ndodh, një gjë kuptohet mirë: shteti ynë është si një anije e shkatërruar që fut ujë nga të gjitha anët.

Gjithsesi në ato përgjigje që kanë dalë në këto përgjime veç gjuhës vulgare, nivelit nën-mediokër kemi parë injorancën e thellë të njerëzve që katapultohen dhe që kanë në dorë të ardhmen e vendit tonë, por edhe fytyrën e vërtetë të pushtetit.

Do duhen edhe disa kohë të përcaktohen realisht qëllimet e këtyre personazheve të këtyre përgjimeve, për fat të tyre prokuroria fle thellë, por një gjë kuptohet fare mirë: Ne jemi peng i këtij takëmi që ka zënë rrënjë thellë dhe paçka zhvillimeve ata do mbesin protagonistë.

Për fatin e keq, Reforma në Drejtësi nuk  po realizohet, kurse me nivelin aktual që ka zonja Marku dhe e gjithë struktura e saj e prokurorisë, duhet të ndjehemi të shqetësuar.

Thirrjet e saj në orët e fundit që prokuroria të hetojë me shpejtësi nxjerrjen në publik të akteve që përbëjnë sekret hetimor dhe të vihet para përgjegjësisë penale kushdo, prokuror, oficer i policisë gjyqësore apo dikush tjetër që ka poseduar për shkak të ligjit CD-të dhe në vend që të ushtronte funksionet ligjore dhe të kryente hetimin objektiv, ka bërë publikimin e tyre, duket qesharak.

Kjo, për arsye se ata që i kanë dorëzuar kanë menduar shumë mirë dhe mënyrën e heqjes së gjurmëve, paçka se protokolli i administrimit të përgjimeve e përcakton mendojmë drejt procedurën e realizimit dhe të ruajtjes dhe kështu një prokurori funksionale do i jepte përgjigje.

Maxhoranca po vuan gabimin e madh që bëri me katapultimin e një zonje të tillë si kryeprokurore, që duan apo nuk duan ata, provoi akuzën e opozitës për paaftësinë e saj për këtë post kaq të lartë. Akuza e shtetit kurrë nuk ka qenë kaq pa prestigj, ndërsa politika duhet të turpërohet që po provon atë që të huajt i kanë dedikuar vendit tonë: Një vend që nuk di të bëhet.

Përfundimi i hetimeve të dy dosjeve me patjetër do të nxjerri realisht shumë problematika, por një gjë kuptohet qartë: prokuroria nuk e përballon dot, ose më saktë nuk kupton përgjegjësinë e madhe që ka në këto momente për të ndihur imazhin e vendit tonë.

Degradimi i funksionarit shqiptar është që nga ata që blejnë votat, por edhe këta qyqarët që kinse nuk dinë të hetojnë, por dinë shumë mirë që të shpërndajnë materialet për të ndyrosur vendin tonë. E gjitha mbetet pjesë e asaj që e besojmë të gjithë: kriminelët, hajdutët dhe keqbërësit duhet të rrinë të qetë me këtë nivel që ka prokuroria jonë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?