Tirane- Krishti u ngjall! Besimtarët katolitë në mbarë botën festojnë sot Pashkët, ditën e ringjalljes së Krishtit një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin fetar. Festimet e Pashkës nisën me meshën e madhe të së shtunës mbrëma që mbahet në të gjitha kishat katolike dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës.
Në mesnatë meshën në Katedralen e Shën Palit e drejtoi Arqipeshkvi Mitropolit, Imzot Arjan Dodaj, i cili uroi besimtarët dhe kërkoi angazhimin e të gjitha strukturave shtetërore, sociale e mediatike për tu vënë në shërbim të një horizonti më me shpresë për të rinjtë. Shumë qytetarë iu drejtuan katedraleve dhe kishave në qytetet ku jetojnë për të kremtuar festën e shenjtë.
Të vegjël, të rritur dhe të moshuarit ndanë me ne mesazhe urimi.
“Është gjithmonë mirë të gjendemi pranë Kishës dhe të ndjekim ritet. Gëzuar të gjithëve” është urimi i besimtarëve.
Edhe krerët e shtetit përcollën urimet e tyre besimtarëve.
Edhe këtë të dielë paradite besimtarët iu drejtuan katedrales së 'Shën Palit' në kryeqytet për meshën e shenjtë, për tu lutur për më shumë, paqe, mbarësi e shëndet.
Edhe presidenti Bajram Begaj ishte sot në Katedrale nga ku përcolli mesazhin për të punuar për një të ardhme më të mirë
"Kjo ditë na kujton që duhet të kthejmë sytë tek dashuria për zotin. Të punojmë për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë e vendin tonë’ tha Begaj
Pas meshës besimtarët ulen në tryezën familjare për drekën e Pashkës. Në tryezën e besimtarëve nuk mungon buka e Pashkës, mishi i qengjit, një tjetër simbolikë e kësaj feste prej shekujsh e qumështori, një ëmbëlsirë tipike pranverore që përgatitet me vezë. Nuk mungojnë vezët me ngjyrë të kuqe, simboli i ngjalljes së Krishtit dhe ripërtëritjes, të cilët më parë janë dërguar në Katedralen Katolike për tu bekuar.
Veza e kuqe është një veçori karakteristike e kësaj feste që simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Tradita e vezëve ka zanafillë pagane që vijon edhe sot e kësaj dite që simbolizon rilindjen e natyrës në stinën e pranverës. Për festën e Pashkës, besimtarët shkëmbejnë dhe thyejnë vezët e lyera.
Një mesazh i veçantë për Pashkët erdhi nga Vatikani, nga kardinali 96-vjeçar Ernest Troshani
“Jetojmë në një kohë kur njerëzimi është mbushur me të papritura. Sot është festa për Krishtin. Kjo është festë e madhe. Urojmë që në çdo festë të kenë në mendje Krishtin. Të bashkoheni” thotë ai.
Në Vatikan, Papa Françesku mbajti meshën e së dielës së Pashkëve para mijëra besimtarëve të mbledhur në sheshin Shën Pjetër. Papa Francesku mbajti edhe mesazhin "Urbi et Orbi".
Pashkët festohen të dielën, pas periudhës 40-ditore të quajtur Kreshmë që është periudha e agjërimit, ku besimtarët heqin dorë nga produktet e kafshëve. Ndërkohë java e Shenjtë nis të dielën e Palmës, vazhdon të Enjten e Premtuar, të Premten e Mirë, dhe në fund, të Dielën e Pashkëve.
Shqiptarja.com dhe Report Tv ju urojnë: Gëzuar Pashkën!
FIER - Edhe besimtarët katolikë në Fier kanë kremtuar Pashkët në “ Kishën e Zonjës së Papërlyer”.
Dhjetëra besimtarë kanë ndjekur këtë të diel meshën e ringjalljes së Jezu Krishtit ku janë bashkuar për të uruar ringjalljen e tij, duke përcjellë mesazhe shprese dhe dashurie. Të njëjtat mesazhe ndau në fjalën e tij edhe Dom Francesco Pasqua i cili drejtoi liturgjinë e shenjtë me lutje ndaj Zotit dhe duke respektuar të gjitha ritet e kësaj feste.
Pashka është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të kishës katolike romake dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.
Në përfundim të Meshës së Shenjtë besimtarët katolikë fierakë uruan njëri- tjetrin, për më shumë paqe, begati, dhe dashuri në familjet e tyre.
KORÇE- Besimtarët katolikë në Korçë në vigjilje të festës së Pashkës iu drejtuan Kishës katolike 'Ngjitja e Marisë në Qiell' për të kremtuar meshën e pashkëve.
Mesnata solli për besimtarët katolikë lajmin e gëzuar se “Krishti u ringjall” ndësa mesha e Pashkës është mbajtur nga prifti Dom Ignazio Bonsignore
Urimet e përcjella nga besimtarët, janë për dashuri e solidaritet mes njëri-tjetrit.
Edhe në Pukë besimtarët e krishter u mblodhen në Kishën “Shën Gjon Pagzori” të qytetit ku priten ringjalljen si moment shprese për boten e trazuar.
Ata u luten për më shumë besim, më pak dhunë e varfëri, më shumë besim dhe dashuri edhe ndër familjet e qytetit të tyre, ku mbizotërojnë largimet e përditshme.
Mesha e Pashkëve që njofton ringjalljen pas dhunimit dhe vuajtjes mbar simboliken e triumfit të së mirën mbi të keqen, teksa besimtarët edhe në Pukë shtrin doren e Paqes dhe bashkëpunimit me urimet e ndërsjellta të festës.
Lezhe- Me qirinjtë e lutjes në duar, që simbolizojnë dritën e përjetshme, të krishteret në Lezhë, kremtuan pashket. Qindra besimtar ju bashkuan meshës së shenjtë që simbolizon ringjalljen e Jezu Krishtit, e cila u mbajt në katedralen e "Shën Nikollit".
Rituali i cili zgjati deri në mesnatën e së shtunës, (30 mars) u drejtua nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës monsinjor Otavio Vitale i cili në fjalen e tij para besimtareve, duke ju referuar simbolikës së festës së pashkëve tha se jezusi duhet të jetë në qendren e jetës tonë si e vetmja mënyre për të mposhtur frikën e çdo gjë tjeter.
Pas meshës së shenjtë besimtarët e Krishterë janë drejtuar në shtëpitë e tyre me dritën e jetës dhe mesazhin Krishti u ringjall. Pashket janë festa me e madhe e kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave te tjera te krishtera, te cilat festojnë Ringjalljen e Jezusit, sikunder e tregon Beselidhja e Re.
Besimtarët katolikë të Lushnjes u mblodhën në kishën e shenjtëve 'Pali dhe Pjetri' për të marrë pjesë në meshën tradicionale të Pashkës.
At Pavlin Zefi i cili drejtoi meshën dhe në fjalën e tij përçoi mesazhet e domethënies së Pashkës, si fitore e jetës mbi vdekjen.