Krishtlindje me ‘Arrëthyesin’! Për herë të parë baleti dhe për personat që nuk shikojnë, Diego: Gjithmonë e kam ëndërruar! Voshtina: Të lumtur që i patëm në gjirin tonë

23 Dhjetor 2023, 18:01| Përditesimi: 23 Dhjetor 2023, 18:41

  • Share

Në prag të Krishtlindjeve, njësoj si te “Arrëthyesi” në Teatrin e Operës rrëfehet këtë fundjavë përralla në dy akte përmes gjuhës së trupit...

Jo vetëm muzikën e Çajkovskit, por edhe fabulën e baletit në sallën e mbushur plot e perceptojnë përmes përshkrimit audio vizual të realizuar nga Gentian Mumajezi edhe personat që nuk shikojnë. Mes tyre është edhe Diego Zelka, student i Universitetit të Arteve për kanto.

“Jam me të vërtetë shumë i lumtur që unë dhe të tjerë si unë kanë mundësi që të njihen dhe të prekin nga afër pjesën vizive dhe artin e altin e baletit që është një art shumë emocionues. Unë në fakt kam qenë gjithmonë shumë kurioz për këtë dhe sot falë kësaj nisme, pra të audiopërshkrimit u bë e mundur që edhe unë të isha pjesëmarrës në këtë shfaqje”, shprehet Diego Zelka, studenti i Universitetit të Arteve për kanto, me aftësi ndryshe, për shkak të mungesës së shikimit.

Drejtorja Abigela Voshtina tregon më shumë për nismën.

“Nuk kishte gjë më të bukur se sa ne të pranonim në gjirin tonë persona që nuk shikojnë. Dhe kur ma propozuan këtë ide isha me të vërtetë në dyshim se thashë si do të bëhet, kush do t’jua shpjegojë. Atëherë, stafi ynë pati një marrëdhënie shumë të mirë me shoqatën që na e propozoi. U trajnuan njerëz,u realizua nga profesionist dhe përzgjedhja e vendit po ashtu ishte adeguate sepse ata ishin afër me orkestrën dhe kjo i përfshinte dhe më shumë”, shpjegon violinistja dhe drejtora e TKOB, Abigela Voshtina.

Historia e Klarës dhe Arrëthyesit të kthyer në Princ përcillet plot emocion gjatë mbrëmjes së parë nga çifti i të dashuruarve Sabina Maklekaj dhe Anxhelo Muçollari...

“Sot ishte një premierë shumë madhështore, emocionet ishin të shumëfishta. Të ndash skenën me njerëzit e zemrës është një gjë shumë e madhe. Për mua është një nga ato ëndrrat e paarritshme që mesaduket e arritëm”, thotë primo balerini Anxhelo Muçollari.

“Ajo që më mbushi sot zemrën ishte kur në aktin e parë shikoja Klarën dhe Princin që në të vërtetë janë dy të dashuruar në jetën reale dhe sollën për publikun dashurinë e pastër, dhe ëndrrën për të pasur një dashuri të tillë”, shprehet prima balerina Adela Muçollari.

Ndërsa Adela Muçollari na shëtit përmes vallëzimit në Tokën e Ëmbëlsirave, në petkat e princeshës.

“E kam përjetuar, jam futur në botën e përrallës, në botën magjike të një barbi. Dhe me të vërtetë ishte një emocion i jashtëzakonshëm me publikun plot, veçmas me personat që nuk shikojnë që patën mundësi ta shijonin baletin përmes audiopërshkrimit”, shprehet prima balerina Adela Muçollari.

Baleti do të vijojë të shfaqet këtë fundjavë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?