Në këtë 25 dhjetor besimtarët katolike dhe ortodoksë janë bekuar edhe nga natyra, teksa dielli i ka ftuar të shijojnë ditën e festës nëpër rrugët e kryeqytetit dhe jo vetëm.
Shumë prej tyre kanë zgjedhur të udhëtojnë në vende më të qeta dhe festive, të tjerë i takojmë në sheshin 'Skënderbej'.
“Hëngrëm drekë të gjithë bashkë dhe dolëm me fëmijë me pa pak.”, tha një besimtare katolike.
“Shumë të gëzuar jemi. Bëmë ca urime me telefon, hëngrëm drekë të gjithë bashkë dhe dolëm të shëtisim fëmijët tek lodrat”, u shpreh një tjetër.
“Vajtëm në kishë. Ndezëm qirinj. Sot për familjet e varfër japim dhe diçka që të gjithë ta festojnë. Jo vetëm ata që kanë”, tregoi një tjetër.
Më të gëzuarit ishin fëmijët. Duke konsumuar ëmbëlsira e duke lozur në lodrat e vendosura në qendër të Tiranës, ata uruan festa të gëzuara.
“Të gjithë krishterëve ju uroj gëzuar e për shume vjet e më mirë çdo vit”, përfundoi një qytetar.
Në sheshin Skënderbe, nuk mungojnë as produktet tradicionale të cilat tregtohen në fshatin festiv, apo kinematografia e cila mund të shijohet gjatë gjithë ditës.