Lewis Hamilton zbuloi pas Çmimit të Madh të Miamit se i tha Fred Vasseur të 'qetësohej', pasi francezi iu ankua për mesazhet e tij mjaft sarkastike në radion publike të ekipit. Gjatë garës, Hamilton i kërkoi skuadrës së tij të ndërronte pozicionet midis tij dhe shokut të skuadrës, Charles Leclerc, në mënyrë që të mund të ndiqte Kimi Antonellin e Mercedes me goma më të shpejta se Leclerc.
Ekipi përfundimisht i ndërroi dy pilotët, por Hamilton u habit nga koha që iu desh, duke folur me sarkazëm në radion e ekipit dhe duke thënë: "Bëjeni një pushim çaji ndërsa jeni duke punuar", duke iu referuar kohës që i ishte dashur për të marrë vendimin.
Më vonë gjatë garës, ekipi vendosi t’i ndërronte dy makinat, me Leclerc që përfundoi i shtati dhe Hamilton një vend më poshtë, në vendin e tetë. Kur inxhinieri Riccardo Adami ia kujtoi diferencën me Carlos Sainz, Hamilton u përgjigj me shaka: “A doni që ta lë të kalojë edhe ai?”
E gjithë kjo ka ushqyer narrativën e Hamiltonit të inatosur me performancat e tij, ashtu edhe me performancën e makinës së ekipit për vitin 2025, me transferimin e tij te skuadra nga Maranello që nuk pati nisjet më të mira.
Pas garës së madhe të Miamit, Hamilton i zbuloi medias se Vasseur kishte shkuar të fliste me të pas garës në lidhje me incidentet në radion e ekipit.
"Fred erdhi në dhomën time. Unë thjesht i vura dorën në shpatull dhe i thashë, 'shok, qetësohu. Mos u bëj kaq i ndjeshëm.' Mund të kisha thënë gjëra shumë më të këqija në radio. Dëgjon disa nga gjërat që të tjerët kanë thënë në të kaluarën.
Disa prej tyre ishin sarkazëm. Dëgjo, duhet ta kuptosh që jemi nën një presion të madh brenda makinës. Nuk do të marrësh kurrë mesazhet më paqësore që vijnë në vapën e betejës. Ishte mirë", tha Hamilton.
Ai që kërkohet të vendosë qetësi te “Kokëkuqja” është shefi Frederic Vasseur, që pas garës amerikane ka folur për një takim “kokë më kokë” me 7 herë kampionin e botës, Lewis Hamilton. Përmbajtja e bisedës u zbulua nga vetë francezi.
“Shqetësimi im nuk ishte se ai duhej të fliste me mediat. Përkundrazi, midis nesh duhet të jemi të qartë se në këtë situatë ai duhet të kuptojë pozicionin tim. Ai duhet të më besojë mua, unë mund t’i besoj atij. E njëjta gjë vlen edhe për Charles. Kur marr një vendim, e marr për Ferrarin”, tha Vasseur, shefi i Ferrari.
Komente
