Partizani dhe Tirana luajnë nesër në 19:00 në "Air Albania" për javën e gjashtë (e prapambetur) në Superligë. Së bashku me trajneri Julian Ahmataj, në konferencën për mediet foli edhe sulmuesi i bardhebluve, Kristal Abazaj. Futbollisti i Tiranës foli për një ngërç psikologjik, teksa shpreson që nesër të dalë te goli.
"Ka qenë një situatë jo e mirë deri diku sepse kemi pasur shumë oshilacione në ndeshjen me Laçin dhe atë me Erzenin. Arritëm të merrnim një tripikësh në ndeshjen me Vllazninë dhe besoj atmosfera e çdo gjë tjetër në ekip është kthyer në favorin tonë. Sa i përket derbit besoj se e kemi përgatitur mjaft mirë, atmosfera është super. T'ia lëmë fushës të flasë nesër", tha fillimisht lojtari me origjinë nga Tropoja.
Për Abazajn, është koha që ai të shënojë në derbi, me sulmuesin që ka 'kërcënuar' Partizanin.
"Po besoj se ka ardhur momenti, pasi kam kaluar një ngërç edhe psikologjik le të themi, sepse janë diku te 7-8 ndeshje për të shënuar gol. Por për këtë gjë nuk jam aspak nën presion dhe shpresoj që nesër të shënoj. Presion te rezultati? Aspak. Situata është mjaft e mirë. Ne jemi të gjithë lojtarë me eksperiencë dhe e dimë rëndësinë e derbit. Sa i përket presionit mund të them që është në krahun tonë", tha Abazaj.
Lajmi kryesor:
Derbi me Partizanin, Julian Ahmataj flet për shqetësimet: Ndeshje për të 'luftuar', s'jemi ku duam
S.Dh/ReportTv.al