Me katër sportistë në pedanë, Shqipëria ia ka dalë të sigurojë dy medalje bronzi në Kampionatin Europian që po mbahet në Moldavi. Ka qenë Kristi Ramadani që ka fituar dy medaljet e bronzta, duke bërë që ekipi ynë të kthehet me sukses nga ky event.
Në peshën deri në 81 kilogramë, Ramadani siguroi medaljet në stilin e shtytjes dhe në dygarësh. Nga gjashtë prova në total, Ramadani ia doli të mbyllte vetëm dy dhe të siguronte medaljet me 337 kilogramë të ngritura në total.
Në stilin e shkëputjes Ramadani ngriti 151 kg për vendin e shtatë, por përmirësoi gjithçka në shtytje, në stilin e preferuar të tij, duke ngritur 186 kg.
Kristi Ramadani vitin e kaluar në Sofie u shpall nënkampion i Evropës me dy medalje argjendi në shtytje dhe dygarësh.
Sportistët e tjerë
Edhe pse për herë të parë në arenën ndërkombëtare, Arbri Çerçizi la gjurmë në pedanë teksa u rendit i katërti në stilin e shkëputjes duke ngritur 145 kilogramë. Ai u klasifikua gjithashtu i pesti në dygarësh me 316 kg të ngritura në shtangë.
Erkand Qerimaj e mbylli po në vendin e katërt, por në dygarësh me peshën totale 333 kg të ngritura. Me 150 kg ai e mbylli i teti në shkëputje dhe me 183 kg i pesti në shtytje.
Briken Calja paçka përpjekjes nuk ia doli të ngjitej në pedanë për shkak të një lëndimi.
Komente
