Ndeshja me Moldavinë, e vlefshme për grupin E kualifikues në Evropian është komentuar edhe nga Kristjan Asllani. Mesfushori i Interit pritet të jetë në fushë kundër Moldavisë të shtunë në "Air Albania". Finalja Champions dhe e ardhmja, këto janë disa nga temat që foli Asllani.
"Kam dy ditë që kam ardhur. E kam parë grupin shumë mirë dhe të gjithë janë stërvitur shumë fort. Po punojmë për t’i përgatitur sa më mirë dy ndeshjet e radhës, ku duam fitoren. Finalja Champions? Ka qenë një emocion shumë i madh për mua të isha në atë finale, diçka që nuk i ndodh çdo futbollisti. Do të donim ta fitonim, por futbolli kështu e ka. Tani vëmendja te kombëtarja, ku duam të arrijmë objektivat tanë. Moldavia do të na pres në gjysmëfushën e tyre dhe besoj se gjëja kryesore në këtë takim është të mbajmë topin sa më shumë", tha fillimisht Asllani.
Djaloshi nga Elbasani më pas foli edhe për të ardhmen dhe minutat e pakta te Interi, teksa kërkon që me kuqezinjtë të shkojë në fazën finale të Evropianit gjerman.
"Kam bërë pak minuta, por jam krah lojtarëve që më parë kisha ëndërr të luaj me ta. Kam marrë eksperiencën e duhur dhe shpresoj që ta vë në dispozicion të kombëtares. Kemi fituar dy trofe te Interi dhe kam marrë një eksperiencë të vlefshme. Unë jam lojtar i Interit dhe për mua kjo është një ëndërr. Do të vijoj të qëndroj te Interi edhe në të ardhmen. Mund të arrijmë shumë larg, pasi jemi një grup shumë i mirë, me lojtarë shumë të fortë. Duam të shkojmë në Europian, që është edhe ëndrra jonë", tha mesfushori.
Lajmi kryesor:
Euro 2024/ Kuqezinjtë vijojnë përgatitjet, Asllani: Finalja e Champions një ëndërr! Ramadani: E mundim Moldavinë nëse luajmë shpejt me topin
S.Dh//ReportTv.al