Kriteret për zgjedhjen e presidentit, Report Tv zbardh draftin e grupit të PD: Opozita propozon kandidatët, kreu i ri i shtetit të mos jetë i aktivizuar 5 vitet e fundit në asnjë parti politike

8 Maj 2022, 21:06| Përditesimi: 9 Maj 2022, 09:00

  • Share

Një president nga opozita! Ky është thelbi i draftit të deputetëve të Partisë Demokratike, lidhur me qëndrimin e grupit parlamentar të PD në negociatat për emrin e ri të kreut të shtetit.

Sipas draftit të siguruar nga Report Tv, PD në formulën e zgjedhjes së presidentit kërkon që opozita të propozojë 4 emra kandidatësh e mes tyre të arrihet në një dakordësi mes mesazhorancës dhe opozitës për emrin që do t’i dërgohet Parlamentit për votim.

“Opozita Parlamentare propozon 4 kandidatë për President të Republikës, që vijnë në mënyrë proporcionale nga fusha të ndryshme. Mazhoranca përzgjedh 2 kandidatë që gëzojnë besimin më të madh. Një Komision i përbërë nga 6 anëtarë: 3 shumica parlamentare dhe 3 pakica parlamentare, shqyrtojnë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej kandidatëve. Kandidatura e përzgjedhur i nënshtrohet votimit në seancë plenare.”- thuhet në draft.

Në draft, grupi Parlamentar i PD sqaron edhe kriteret që duhet të plotësojë Presidenti i ri.

‘Gjatë 5 viteve të fundit, Kandidati për president nuk duhet të jetë angazhuar në politikë aktive partiake. Përgjatë përvojës profesionale të tij, duhet të ketë dëshmuar publikisht aftësi të spikatura të integritetit. Duhet të bëjë transparencë të plotë dhe të dokumentuar të të gjitha të ardhurave dhe ligjshmërisë së pasurisë. Nuk duhet të ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi sekret, si dhe në periudhën 29.11.1944 - 02.07.1991 funksionar shtetëror. Kandidati për President i Republikës duhet të plotësojë kushtet e pastërtisë së figurës në drejtim të dekriminalizimit dhe duhet të ketë një përvojë në punën e tij për të paktën 15 vjet.’- nënvizon drafti.

Sipas këtij dokumenti, kreu i Grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj ngarkohet të diskutojë me grupet e tjera parlamentare opozitare. Propozimet do të diskutohen edhe në mbledhjen e radhës së deputetëve të PD të hënën në orën 14:00 mbledhje në të cilën pritet të mungojë grupi i Berishës, i cili ka hartuar një tjetër rezolutë për qëndrimin e PD për Presidentin e ri.

Nga ana tjetër, Komisioni i Rithemelimit mohon kategorikisht uljen me socialistët në tryezë për presidentin, ndërsa të premten ata miratuan edhe një rezolutë që ndalon marrjen pjesë të opozitës në proces, në rast se emri nuk propozohet prej saj.

ZBARDHET DRAFTI

KRITERET PËR ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS

Sipas Kushtetutës, President mund të zgjidhet vetëm shtetasi shqiptar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vjetët e fundit në Shqipëri dhe që ka mbushur moshën 40 vjeç.

Gjykata Kushtetuese është shprehur se Kushtetuta, duke ndjekur modelin e republikës parlamentare, e ka konceptuar Presidentin me pozitë neutrale, mbi palët (super partes), me rol të rëndësishëm në zgjidhjen e krizave, balancimin e pushteteve dhe kryerjen e funksioneve të tyre respektive, që lidhet edhe me procedurën e zgjedhjes së tij nga shumica parlamentare të nevojshme dhe përmes raundeve të votimit. Presidenti nuk duhet të investohet politikisht, ai nuk duhet të shihet as si pjesë e drejtpërdrejtë e ekzekutivit dhe as si pjesë e drejtpërdrejtë e partive politike, por si një arbitër kushtetues, i cili vetëm në këtë pozicion mund të zgjidhë krizat institucionale dhe të bëhet garant i Kushtetutës. Pavarësisht se nuk merr vendime politike, Presidenti ka ndikim në jetën politike të vendit, në përputhje me këtë rol që Kushtetuta i ka caktuar. (vendimet nr. 1/2022 dhe nr. 26/2021 të Gjykatës Kushtetuese).

Grupi parlamentar i PD-së, vlerëson se përvec këtyre kritereve kushtetuese, Presidenti i Republikës duhet të përmbushë edhe kritere specifike, që garantojnë integritetin e tij moral dhe profesional për përmbushjen e detyrës kushtetuese me neutralitet dhe besnikëri ndaj Kushtetutës. Ndër këto kritere specifike mund të përfshihen:

1. Kandidati për President të Republikës, gjatë 5 viteve të fundit, nuk duhet të jetë angazhuar në politikë aktive partiake, në kuptimin që të mos ketë mbajtur funksione politike në organet shtetërore dhe as pozicione në organet drejtuese të ndonjë partie politike.

2. Kandidati për President të Republikës, përgjatë përvojës profesionale të tij, duhet të ketë dëshmuar publikisht aftësi të spikatura të integritetit, në kuptimin e kontributeve politike, ku të ketë dëshmuar aftësi për të vendosur në situata të vështira dhe aftësi për të përballur presionin/ndikimin e papërshtatshëm politik. Dëshmitë për angazhimin dhe përkushtimin e tij në kauza të rëndësishme civile përbëjnë avantazh;

3. Kandidati për President të Republikës duhet të bëjë transparencë të plotë dhe të dokumentuar të të gjitha të ardhurave dhe ligjshmërisë së pasurisë, si dhe të pagimit të të gjitha detyrimeve tatimore, bazuar në dokumentacionin zyrtar të institucioneve shtetërore përgjegjëse.

4. Kandidati për President i Republikës nuk duhet të ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi sekret, si dhe në periudhën 29.11.1944 - 02.07.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaҁme. Dëshmitë për angazhimin dhe përkushtimin e tij për zhdukjen dhe crrënjosjen e komunizmit përbëjnë avantazh.

5. Kandidati për President i Republikës duhet të plotësojë kushtet e pastërtisë së figurës në drejtim të dekriminalizimit.

6. Kandidati për President i Republikës duhet të ketë një përvojë në punën e tij për të paktën 15 vjet, ku të ketë dëshmuar integritet moral dhe profesional të lartë dhe të provuar, si dhe të ketë dëshmuar paanësi politike në veprimtarinë dhe qëndrimet e tij publike, me qëllim rritjen e besimit të publikut tek figuara që zgjidhet si President. Dëshmitë për përkushtimin e Presidentit ndaj vlerave themelore kushtetuese, ndaj procesit të integrimit euro-atlantik të Shqipërisë dhe vlerave euro-atlantike përbëjnë avantazh.

PROCES GJITHËPËRFSHIRËS DHE KONSENSUAL SHUMICË-PAKICË PARLAMENTARE

Për të siguruar pranimin e të gjitha palëve politike tek figura e Presidentit të Republikës, me qëllim rritjen e besimit të publikut tek Institucioni i Presidentit të Republikës, është e nevojshme që procesi parlamentar për zgjedhjen e Presidentit të Republikës të jetë transparent, gjithëpërfshirës, luajal ndaj Kushtetutës dhe konsensual. Ai duhet të bazohet tek diskutimi dhe dialogu i sinqertë mes shumicës dhe pakicës parlamentare, ku secila palë të ketë rol aktiv në përzgjedhje. Në këtë drejtim, palët duhet të bien dakord në formësimin e një procesi të përbashkët, që siguron rol të balancuar të të gjitha palëve. Vetëm pas dakordësisë mbi rregullat e përbashkëta të procesit, palët mund të kalojnë në fazën e propozimit të emrave konkretë, me synimin e përbashkët për përzgjedhjen e kandidatit më të mirë të mundshëm për ushtrimin e detyrës së Presidentit të Republikës.

Procesi duhet të synojë me cdo kusht zgjedhjen e Presidentit të Republikës me shumicë të cilësuar prej të paktën 84 vota.

Një formulë për procesin, pa qenë e kufizuar dhe që mund të përsoset me kontributin e të gjitha grupeve parlamentare, mund të jetë si më poshtë:

1.      Palët bien dakord paraprakisht për kriteret e përzgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kriteret e dakordësuara publikohen menjëherë;

2.      Opozita Parlamentare propozon 4 kandidatë për President të Republikës, që vijnë në mënyrë proporcionale nga fusha të ndryshme, të cilat paracaktohen në kriteret e caktuara sipas pikës 1. Këto propozime paraprakisht i nënshtrohen konsultimit publik;

3.      Mazhoranca përzgjedh 2 kandidatë që gëzojnë besimin më të madh.

4.      Një Komision i përbërë nga 6 anëtarë: 3 shumica parlamentare dhe 3 pakica parlamentare, shqyrtojnë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej kandidatëve. Kandidatura e përzgjedhur i nënshtrohet votimit në seancë plenare.

5.      Kjo procedurë përsëritet për cdo raund, ku skualifikohen kandidatët që nuk janë përzgjedhur sipas pikës 2, dhe kandidati që nuk ka marrë mbështetjen në seancë plenare.

6.      Shkelja e njëanshme e rregullave të procedurës i njoftohet zyrtarisht shumicës parlamentare dhe publikohet menjëherë. Në rast të mosriparimit të shkeljes ose në rast të shkeljes së përsëritur të tyre, opozita parlamentare tërhiqet nga pjesëmarrja e mëtejshme në proces duke treguar publikisht edhe shkakun.

Ngarkohet Kryetari i Grupit Parlamentar të PD që përpara dërgimit zyrtarisht të këtij propozimi, të zhvillojë konsultime me të gjitha grupet parlamentare të opozitës dhe të pasqyrojë edhe propozimet e tyre, me synim unifikimin e qëndrimit opozitar mbi këtë proces.

Ky dokument nuk ka si qëllim ngurtësimin e një procesi që favorizon opozitën, por synon gjithëpërfshirjen. Për këtë arsye, ky propozim është i hapur për diskutime, përmirësime apo propozime shtesë nga të gjitha grupet parlamentare, me synimin e vetëm të ndërtimit të një procesi transparent dhe që prodhon produkt të gjithëpranuar. Për këtë proces ngarkohet Kryetari i Grupit Parlamentar, i cili informon dhe konsultohet në mënyrë të vazhdueshme Grupin Parlamentar mbi ecurinë e procesit.

(Kliko këtu per propozimet e PD për kriteret e zgjedhjes së presidentit të ri))

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Partia: 09/05/2022 07:32

    Fatos Nano dmth, hajde opozitë e forte hajde. Alibeaj lepe peqe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?