Kronikë

Kriteri i moshës deri në 30 vjeç për garën në polici, Komisioneri: Diskriminues, ministria duhet ta rishikojë

12 Tetor 2021, 15:33| Përditesimi: 12 Tetor 2021, 16:14

  • Share

Limiti i moshës deri në 30 vjeç për të aplikuar për Akademinë e Sigurisë cilësohet diskriminues nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Aplikimet për vitin e ri akademik për “patrullë e përgjithshme” janë në ditët e fundit, dhe njëri prej kritereve është që kandidatët nuk duhet të jenë më shumë se 30 vjeç. Ky detaj ka shqetësuar Sindikatën e Policisë së Shtetit, e cila iu drejtua komisionerit. Report Tv ka siguruar dokumentin përmes së cilit Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi e rrëzon këtë kriter, ndërsa i kërkon Ministrisë së Brendshme që ta rishikoj atë.

“Pasja e një niveli të caktuar aftësish fizike për kryerjen e detyrave të punonjësit të policisë së shtetit mund të konsiderohet një kërkese e vërtetë dhe profesionale e domosdoshme, me qëllim ushtrimin e këtij profesioni. Por, sipas të njëjtës dispozitë, duhet që, kjo kërkesë, të jetë e përligjur dhe të mos kapërcejë atë çfarë është e domosdoshme për realizimin e saj. Nga informacioni i administruar nuk rezultoi asnjë e dhënë që të tregonte se përse personat mbi 30 vjeç nuk posedojnë këto aftësi të nevojshme fizike, që mund të nevojiten për ushtrimin e detyrave të këtij niveli dhe se si diferenca në trajtim e vendosur, nëpërmjet përcaktimit të një moshe maksimale për rekrutimin e punonjësve të policisë të nivelit bazë, është e përshtatshme dhe e domosdoshme për arritjen e qëllimit”, thuhet në dokument.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka pasur disa korrespondenca me Ministrinë e Brendshme në lidhje me këtë shqetësim, ndërsa argumentet që ka dërguar kjo e fundit nuk e kanë bindur. Përcaktimi i moshës së aplikantëve nuk është i cilësuar në ligjin e Policisë së Shtetit, por është përcaktuar me vendim të Ministrit të Brendshëm, e firmosur në datën 25 mars 2020. Referuar këtij vendimi që përcakton moshën nga 18 deri në 30 vjeç, po ashtu me firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është rikonfirmuar i njëjti vendim më 10 korrik 2020 për moshën. Ky është viti i dytë që aplikantët për shkollën bazë të policisë janë me kriter të përcaktuar moshe, ndërsa më herët një kriter i tillë nuk ka ekzistuar.

Të kontaktuar nga Report Tv, burime nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit deklarojnë se vendimi i marrë nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi për rrëzimin e këtij kriteri nuk mund të rishikohet të paktën për këtë vit, pasi aplikimet janë në ditët e fundit. Megjithatë, janë të hapur që në vazhdim të diskutohet dhe pse jo të ketë një dakordësi për rritjen e moshës, ose heqjen përfundimtare të këtij kriteri. Ministria e Brendshme mund t’i drejtohet Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, nëse e sheh të nevojshme se kriteri i moshës jo më shumë se 30 vjeç për të qenë pjesë e garës për shkollën bazë të policisë, është i nevojshëm.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sara: 12/10/2021 16:04

    Policeve duhet ti behet me detyrim palestra.Hyjne ne polici cuna me trup te rregullt dhe pas 2 vitesh e kan barkun te gjunjet sic ishte policia e Berishes.Gjithsesi dhe pse cuna te ri kur jan ne detyre policet ne Shkoder rrin ne grup dhe han fara e dredhin cigare.Pamje aspak e kendshme per fytyren e shtetit

    Përgjigju
    • Dasara: 13/10/2021 12:14

      Kur te bejne palestra ne komisariate ose kur tja krijoje kushtet shteti

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?