Kritika spanjolle përshëndet koncertin e violinistit Florian Vlashi në Madrid

28 Shkurt 2019, 15:23| Përditesimi: 1 Mars 2019, 09:11

  • Share

Violinisti shqiptar Florian Vlashi ka patur përsëri vëmendjen e shtypit spanjoll pas suksesit në koncertin e tij të fundit në Madrid, tematika e të cilit riktheu në sallë valët muzikore të vitit 1968. Ky ishte koncerti i fundit i ciklit “Shenja, Lojra dhe Mesazhe”, ndërsa të tjerët u prezantuan në Festivalin e Muzikës Bashkohore “RESIS”, në Universitetin e Santiago de Compostela dhe Universitetin e Arteve Vigo.

Kritiku i njohur Paco Yanez e nis shkrimin në revistën “Mundo Clasico” me vlerësime tepër të larta.

Duke folur për koncertin ai thotë se "interpretimi i jashtëzakonshëm i programit sigurohet nga Florian Vlashi, violinisti shqiptar angazhimi i të cilit në muzikë në Galici përfshin jo vetëm pjesëmarrjen e tij në Orquesta Sinfónica de Galicia apo krijimin dhe drejtimin e Grupo Instrumental Siglo XX, por edhe në bashkëpunimin me USC - Universidad de Santiago de Compostela si dhe në hulumtimet e dy repertoreve, klasik (shih punën e tij aktuale mbi Andrés Gaos) dhe bashkëkohorë.

Që nga ardhja e tij në La Coruña në vitin 1992 ai është nismëtar e drejtues për 146 vepra të porositura dhe të luajtura premirë absolute në Galicia-nënvizon Yanez.

Koncerti u mbajt në një vend emblematik: Ateneo de Madrid, Shoqëria e shkencës, letërsisë dhe e artit e krijuar në 1835 është vendi ku kanë kaluar thuajse të gjithë Çmimet Nobel spanjollë. Aty kanë interpretuar Casals, Arbós, Albéniz. Violinisti 55-vjeçar nga Durrësi tregon se Ateneo ndodhet në "Lagjen e Letrave" ku është shtëpia e Cervantes-it, e Lope de Vega-s, ndodhet shtypshkronja që botoi Don Kishotin në 1604, apo teatri spanjoll "Siglo de Oro" (i Shekullit të Artë) ... Një ftesë e tillë është për mua një takim me “arin” e këtij vendi-nënvizon artist shqiptar.

Vlerësimet e kritikut Paco Yanez

"Koncerti, që trajton në formë qarkore ekzistencën e një jete, me artikulimin e jashtëzakonshëm e plot vitalitet në violinën e Florian Vlashit, nënshkruan plot nerv e shkëlqim madhështor me bindjen absolute – si në Majin 68 ashtu dhe në atë të 2018 - fuqinë revolucionare, utopike dhe transformuese të muzikës."

“Sonata për solo violinë" ka një interpretim të jashtëzakonshëm, -shkruan Yanez, duke shtuar “këtu pajtohem plotësisht me autorin Cristobal Halffter se Florian Vlashi duhet ta inçizojë patjetër Sonatën për të përmbushur këtë boshllëk në katalogun e kompozitorit nga Madridi.

Në përshtypjen prej kritiku të veprës së Lachenmann “Toccatina" Yanez thotë se “ Në këtë zbulim të një gjuhe të re muzikore është e qartë se disa nga efektet e muzikës instrumentale konkrete janë më afër Florian Vlashit se sa instrumentistëve të tjerë."

Nga Kurtag – “Shenja, Lojra dhe Mesazhe”: "... për Vlashin, muzika e hungarezit frymëzohet nga Kafka, Samuel Beckett apo Marc Chagall, duke vënë theksin në lirinë artistike të natyrshme tek Kurtág, si dhe në humanizmin e pasur të veprës së tij (kjo dëshmon edhe një herë këndvështrimin kozmopolit të një muzikanti aq të kulturuar si Florian Vlashi).

Për këto arsye partitura kurtagiane e programuar nga ai (e cila i jep edhe titullin në anglisht koncertit “Signs, Games and Messages 1961- 2005), e vesh Kurtágun e Vlashit me aroma kulturore nga më heterogjenet, duke na i sjellur këto Shenja, Lojra dhe Mesazhe në një vështrim pa paragjykime plot shumëllojshmëri në ngjyrime, folklor dhe personazhe. "

Pa u ndalur në interpretimet e tjera finalja e koncertit të Madridit nuk kaloi pa duartrokitjet e merituara, që e rikthyen në skenë Florian Vlashin me veprën “Kabatronik” të kompozitores kosovare Donika Rudi, interpretimin e së cilës ai ia kushtoi bashkëshortes instrumentiste Rediana Lukaçi Vlashi.

Në kështjellë me mjeshtrin Cristobal Halffter

Instrumentisti Florian Vlashi e risjell bashkëpunimin e javës së kaluar me kompozitorin 89-vjeçar si “një fat i madh”: “Në kështjellën mesjetare të Markezëve të Vilafrankës, mes vreshtave të mbjelluara para 900 vjetësh nga murgjët benediktinë për Pelegrinët e Kompostelës, banon një njeri i vetëm me qenin e tij, Nero. Është kompozitori 89 vjeçar, autori i operës

“Don Quijote”, Cristobal Halffter, një nga figurat më të mëdha të muzikës spanjolle të shekullit XX.

Brenda mureve pesëqind vjeçarë, pranë bibliotekës te mbushur me libra e partitura, luaj Sonatën për violinë solo që mjeshtri ka shkruar në 1959. Pastaj, në dhomën e zjarrit, me një çaj përpara, flasim për historinë e keshtjellës, vreshtat, muzikën, pikturat, librat e Kadares, familjen, të shoqen që e humbi para 425 ditësh. "Keshtjellë e madhe, Maestro!" "E madhe dhe pa fantazma..." thotë dhe shton pas pak nën zë"...po ka ndonjë...". Edhe unë e di që ka një, sepse ai flet me "atë" çdo moment. Më shkruan një kujtim mbi partiturën e sonatës, pikërisht në faqen ku është dedikimi i veprës për të shoqen "a Maria Manuela".

Ndahemi tek shkallët. Ai shikon telefonin por asgjë, “Mjeshtrit s´ka kush t´i shkruaj”. Ecim nëpër rrugët e fshatit mesjetar Villafranca del Bierzo që, si në një film surrealist, është mbushur me koreanë të cilët po transmetojnë nga aty një "reality show tv".

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?