Kosova & Rajoni

Kritikat e Grenell ndaj Kurtit/ Ilir Aliaj: SHBA do që Kosova të qeveriset nga një koalicion! Ben Andoni: Qasja e Uashingtonit ndaj Prishtinës mund të ketë të papritura

7 Shkurt, 21:53| Përditesimi: 7 Shkurt, 22:03

  • Share

Kosova do të mbajë zgjedhje parlamentare këtë të dielë (9 shkurt 2025). Krahas retorikës së egër mes partive politike në Prishtinë, kjo fushatë personifikohet edhe me kritikat e drejtpërdrejta të të Dërguarit të SHBA-së për Misione të Posaçme, Richard Grenell, për kryeministrin Albin Kurti.

Ilir Aliaj, drejtor i qendrës për demokratizim të Institucioneve dhe Ben Andoni, analist, ishin të ftuar në “Studio Live” me Arbër Hitajn në Report Tv, për të folur lidhur me këto zhvillime.

Për Aliajn, sulmet e Grenell kanë për qëllim që pas zgjedhjeve vendi mos të qeveriset vetëm nga Albin Kurti, parta e së cilit pritet të dalë forcë e parë, por të jetë një koalicion qeverisës.

“E gjithë kjo bëhet që mos të jetë i vetëm në qeverisjen e 10 shkurtit, pra të ketë edhe një parti që ta ketë në aleancë. Për këto personazhe është shumë herë më e lehtë që të shantazhojnë dhe kërcëojnë rënien e qeverisë Kurti, kësaj radhe Kurti 2”,-tha Aliaj.

Analisti Andoni tha se insistimi i Grenell në kritikat e tij kundër Kurtit paralajmërojnë të papritura për Kosovën, pas zgjedhjeve parlamentare.

“E kam parë në dy plane ndërhyrjen e zotit Grenell. E kam parë personale dhe të lobuar përpara momentit kur bëri postimin e parë në X, sepse pak orë më vonë mori tagrin zyrtar dhe jam shqetësuar normalisht si të gjithë shqiptarët. Zoti Grenell e njeh të gjithë rajonin tonë shumë më mirë se të gjithë ne bashkë. E para sepse Grenell përfaqëson një shtet si Amerika dhe ka akses në shumë institucione që kanë burime shumë të klasifikuara në Kosovë dhe prandaj zoti Hovenier i paraprinte vazhdimisht zotit Kurti me lajme për ato që do të ndodhin në Kosovë. Insistimi i tij në orët e fundit të bësh të dyshosh se qasja e SHBA-ve jo thjeshtë ndaj Kurtit, por ndaj Kosovës në muajt e ardhshëm do të ketë shumë shumë të papritura. Ky është shqetësimi personal”,- u shpreh Andoni.

28 forca politike garojnë në këto zgjedhje, prej të cilave 20 parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Kandidatët për kryeministër janë Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili kërkon një mandat të dytë , Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës 

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni kushtin e PD që diaspora të votojë me dokumente të huaja?