“Nga kongresi i lepurit në bark tek Asambleja e tmerrit në shpirt!” Kështu e ka cilësuar Sali Berisha fjalën e kryeministrit Edi Rama gjatë ditës së djeshme në asamblenë e PS. Rama i kërkoi SPAK që të niste hetimet për shpalljen e Berishës 'Non Grata' nga SHBA-ja, teksa për Ardian Dvoranin tha se u hetua pasi kështu ka dashur presidenti Ilir Meta.
Me një postim në Facebook, shkruan se kryeministri bëri fjalim horror për SPAK-un, por i duket si portë ferri ndërsa sallat e mbledhjeve i duken si qeli të zeza. Me ironi, Berisha thotë se Rama po jeton ditën dhe natën në botën e përtejme duke iu referuar aferës së inceneratorëve, Portit të Durrësit dhe jo vetëm.
“Kreu i organizatës kriminale Edi Rama në panik dhe horror të madh. Firmat i duken hekura, sallat e takimeve i duken qeli! Punonjësit e Skapit të Partisë i duken ushtarë të Luçiferit. Derisa e SPKU-t i duket dera e ferrit! Përveç fjalimit horror për SPAK-un, ai si kurrë ndonjëherë më parë publikoi edhe 4 statuse në rrjetet sociale kushtuar atij. Edi Rama i ngërthyer si kurrë më parë nga Thanatos-Complex apo kompleksi i vdekjes, po jeton ditën dhe natën në botën e përtejshme në të cilën firmat për inceneratorët, Check-upin, Portin e Durrësit e të gjitha PPP i shfaqen si hekura të rënda jo vetëm në duar por edhe në këmbë. Porta e prokurorisë së posaçme SPAK-ut i duket si porta e ferrit, punonjësit e personeli i kësaj prokurorie përfshi këtu edhe portierin i duken si gardian të Luçiferit, sallat e mbledhjeve i duken qeli te zeza, Agaçi, Ahmetaj, Veliaj here i duken si Basha herë tjetër si të penduar të drejtësisë”, shkroi Berisha.
Berisha komentoi edhe takimin e përfolur të Ramës me Bashën në Dhërmi. Ndërsa kongresin e fundit të PS e krahason me atë të Cosa Nostras ndërsa vijon sulmet se Alibeaj dhe Bardhi bashkëpunojnë me të, por thotë se janë të pashpresë. Sipas Berishës, Rama tmerrohet prej tij si kundërshtar ndaj foli për të në Kongres.
“Netët që fjeti në Dhërmi klith në kup të qiellit ‘Erdhi, erdhi, erdhi’, fjala është për mua, të cilit në një ëndërr i dukem si Luçiferi kurse në një tjetër i shfaqem si Anibali. Por tmerri ndaj Berishës është po kaq i madh edhe gjatë ditës saqë rojet kanë marrë urdhër të prerë të mos e lejojnë kurrë të dalë nga shtëpia pa pampers pasi po ti dalë Berisha para në rrugë, në parlament apo gjetiu atij i ndodh ajo që tashmë është bërë virale në fotot e tij të njomuar nën vete. Prandaj dhe ai në çdo ngjarje të madhe të partisë së tij frymëzohet vetëm nga bota e përtejme në të cilën ai gallon. Kështu në Kongresin e fundit të PS, për të cilin analistët konstatuan se në përmbajtje ngjasonte shumë me Kongresin e Cosa Nostras pasi u muar vetëm me Skapin e Partisë dhe Berishën, kundërshtarin që e tmerron”, shkroi Berisha.
Kritikat e ashpra të Ramës ndaj SPAK, janë vijimësi të fjalimit që ai mbajti edhe në Kongresin e Socialistëve të 9 prillit, duke thënë se durimi i tij, por edhe e shqiptarëve ndaj Prokurorisë së Posaçme, po i vjen fundi.
Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Grigels Muçollari kanë reaguar ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili iu drejtua SPAK me tone të ashpra duke thënë se merret me kampionin e anti-korrupsionit (Ardian Dvorani), por nuk heton Sali Berishën 'Non Grata'. Oerd Bylykbashi ka reaguar me ironi duke thënë se nëse SPAK do të shkonte tek Asambleja e PS, do të fitonte ndeshjen me korrupsionin dhe do plotësonte planin e punës për 3 breza.
“Mjaftonte që SPAK të shkonte dje me një sasi prangash tek Asambleja e PS e do të kishte plotësuar planin e punës për tre breza. Do ta fitonte ndeshjen me korrupsionin në kohë shtesë me ‘golden goal’”, shkroi Bylykbashi.
Ndërsa Grigels Muçollari pretendon se Rama përdor të njëjtën gjuhë si bosët e organizatës mafioze italiane ndaj gykatës. Në reagimin e tij në Facebook duket se e krahason Ramën me “Papën” që i hakërrehej gjyqtarit për mungesën e drejtësisë në vend.
“Papa" i COSA NOSTRA-s. Gjuha e Ramës ndaj SPAK rastis të jetë përdorur edhe në Maxiprocesso, kur bosët e organizatës mafioze Cosa Nostra akuzonin gjykatën për prishje imazhi, që me shumë "mund e djersë" e kishin ndërtuar ndër vite. Madje njëri prej tyre që njihej me nofkën "Papa", për të treguar se ishte ai primati i të tijëve, i hakërrehej gjyqtarit në sallën e gjyqit për mungesën e drejtësisë në vend. Në këto daljet e fundit, Rama duket sikur ka kaluar atake paniku. Të tregojnë më kujdes shokët e kurimit të imazhit, se po u ikën primati prej duarsh”, shkroi Muçollari.
Në Asamblenë e Përgjithshme të PS, ku duhet të kishte një fjalim që të kishte në thelb të saj punët e brendshme të partisë, kryeministri Edi Rama ashpërsoi tonet kundrejt SPAK.