Report Tv zbardh një pjesë të kërkesës së prokurores së Shkodrës Elsa Gjeli, drejtuar KLP-së pas kritikave të kryeministrit Rama për rastin e ndërtimit pa leje në Theth. Në shkresën e Gjelit, thuhet se me deklaratat e Ramës iu cenua dinjiteti dhe pavarësia profesionale.
Në shkresë, Gjeli thotë se vendosi mosfillimin e hetimit për këtë çështje, pasi ishim në kushtet e një kundërvajtje administrative. Ajo sqaron në shkresë, se 10 kabinat ishin të vendosura mbi gurë dhe madje edhe në referim policia citonte se IMT e konsideronte vendosjen e kontejnerëve si shkelje administrative. Më tej, Gjeli thotë se kur janë publikuar pamjet më datë 7 korrik, ka konstatuar se vendi i ngjarjes kishte ndryshuar, duke u betonizuar sheshi ku ishin vendosur kontejnerët.
Me deklaratat e Ramës, Gjeli thotë se u ekspozua ndaj një linçimi të pashembullt mediatik. Deklarata e Ramës i konsideron të paprecedenta në një shtet demokratik, ku pavarësia e magjistratëve është e garantuar me Kushtetutë. Ajo e quan një sulm, personal që godet një Prokuror të ri në detyrë dhe diskriminues, pasi synon të frikësojë figurën e një Magjistrateje të re në shërbim të shtetit.
Pjesë nga kërkesa e Gjelit për KLP
Prokuroria ka regjistruar një kallëzim penal më 28.05.2025 pas një referimi nga policia dhe çështja më është caktuar për verifikim me short elektronik. Nga ky referim i policisë rezultonte se në lagjen Fushë-Theth, në fshatin Theth, Njësia Administrative Shalë, Bashkia Shkodër, nga ana e I.M.T-së ishte konstatuar vendosja e 10 kontenjerëve, në pronën e shtetases Lene Prroni. Këta objekte nuk kishin bazament betoni, por ishin të vendosur në të katër qoshet mbi rrasa guri të prera, sipas referimit të bërë nga Policia Gjyqësore. Gjatë këqyrjes në oborr janë konstatuar pllaka betoni si ato që përdoren për trotuare si dhe llamarina model sanduiç. Në vend nuk është konstatuar prezenca e ndonjë personi. Shtetasja Lene Prroni, e pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, ka deklaruar se: Kapanonet e gjetura janë të vendosura në pronën e saj, të cilën e ka të trashëguar nga paraardhësit e saj. Deklaron se është interesuar pranë bashkisë për të marrë leje ndërtimi për vendosjen e tyre, por i kanë thënë se nuk japin leje, pasi duhen dokumente pronësie që të përfitosh dhe ajo nuk ka dokumente pronësie, por e ka të trashëguar pronën brez pas brezi. Gjithashtu ka shpjeguar se, në dijeninë e saj, për objektet që janë pa themele, pa betone, nuk ka nevojë për të marrë leje. Tregon se paratë për ndërtimin e këtyre kapanoneve i ka marrë borxh, tek të afërmit e saj, për të ndërtuar këta kapanone, si dhe ka pasur rreth 300 krerë bagëti në Dukagjin, por duke qënë se nuk kishte çoban për t’u kujdesur për to, i ka shitur të gjitha. Në referimin e bërë nga Komisariati i Policisë Shkodër, citohej se Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit Bashkia Shkodër e konsideronte vendosjen e kontenjerëve kundërvajtje administrative. Në përfundim të veprimeve verifikuese, në datë 30.05.2025 kam vendosur mosfillimin e procedimit penal për këtë kallëzim, pasi fakti nuk përbënte vepër penale, por duke sqaruar se jemi në kushtet e kundravajtjes administrative.
Me 07.07.2025 janë publikuar pamjet e vendit të ngjarjes. Pikërisht në këtë datë ka dalë me prononcimin e parë të tij publik me tone denigruese edhe z. Kryeministër, duke vijuar edhe në ditën pasardhëse. Nga këto pamje kam konstatuar se, vendi i ngjarjes kishte ndryshuar, duke u betonizuar sheshi ku ishin vendosur kontenjerët, lidhur energjia elektrike dhe kontenjerët duket se ishin të përdorshëm/banueshëm.
Në datat 7-8 korrik 2025, Kryeministri i vendit, z. Edi Rama, përmes konferencave publike, postimeve në rrjetet sociale (Facebook, Instagram etj.) dhe deklaratave për media, u shpreh në mënyrë të përsëritur dhe agresive në lidhje me këtë çështje, duke përmendur emrin tim personalisht dhe duke më akuzuar se:
• “Kam hedhur në kosh një krim të shumëfishtë”;
• “Jam përfaqësuese e drejtësisë që mbron shkatërrimin e pronës publike”;
• “Kam vepruar në mënyrë arbitrare dhe të dyshimtë”;
• “Duhet të mbaj përgjegjësi për vendimin tim” etj.
Këto deklarata janë bërë në kapacitetin e tij si Kryeministër, duke ndikuar në perceptimin publik, duke më ekspozuar ndaj një lincimi të pashembullt mediatik dhe duke minuar çdo kuptim të drejtësisë, si një sistem i ndarë nga pushteti ekzekutiv.
Ky qëndrim publik është:
• I paprecedentë në një shtet demokratik, ku pavarësia e magjistratëve është e garantuar me Kushtetutë;
• Personal, pasi godet një Prokuror të ri në detyrë, me eksperiencë të pastër, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm profesionalizmin tim, por edhe aftësinë për të menduar në mënyrë të pavarur dhe logjike;
• Diskriminues, pasi synon të frikësojë përmes turpit publik dhe nënçmimit figurën e një Magjistrateje të re në shërbim të shtetit.
Presioni publik ndaj meje tejkalon çdo kritikë të lejuar politike dhe synon të më vendosë në shënjestër për arsye tërësisht të lidhura me vendimmarrjen time profesionale. Vlerësoj të rëndësishme ndër të tjera të ndalem në disa momente të lidhur jo vetëm me dinamikën e fundit të ngjarjeve, të cilat shkojnë përtej normales, por edhe të lidhur me karrierën time profesionale nga momenti i fillimit të detyrës, për të cilën jam betuar para Kushtetutës që do t’a mbroj me solemnitet deri në momentin final të ushtrimit të saj. Vlerësoj të theksoj faktin që pavarësisht çdo vështirësie që paraqet profesioni i Prokurorit, si dhe dinamikës së tij, do të ribëja çdo ditë të njëjtën zgjedhje, edhe pse aktualisht i gjithë sistemi i Prokurorisë është duke u përballur me sfida të jashtëzakonshme, të prejardhura si pasojë e mbingarkesës, duke punuar çdo ditë dhe çdo orë (pa llogaritur asnjë ditë pushimi), pasi të gjithë besojmë tek vlerat e një drejtësie të pavarur, në drejtim të mbrojtjes së interesit publik dhe të krijimit të një të ardhmeje më të mirë për vendin tonë. Edhe pse që në muajin e parë të ushtrimit të detyrës jam përballur me ngjarje të rënda dhe me marrje të një numri të konsiderueshëm të dosjeve për hetim dhe për gjykim, kjo sfidë nuk më ka penguar deri më sot që të ushtroj profesionin tim me integritet. Pavarësisht faktit se për vitin 2024 më shumë se unë, në lidhje me punën time mund të flasin shifrat zyrtare të analizuara edhe në Raportin Vjetor të këtij viti, sa i përket dosjeve të përfunduara dhe personave të marrë, si të pandehur. Është kryer arrestimi i shtetasit Lulzim Rakaj, i marrë në akuzë për veprën penale të parashikuar nga neni 79/dh dhe 22 i Kodit Penal, duke cilësuar faktin se edhe pse ditën që është shqyrtuar seanca gjyqësore për vleftësimit e arrestimit të tij kam pësuar një aksident automobilistik, kjo nuk më pengoi që të vrapoja për në sallën e gjykimit, sërish në mbrojtje të interesit publik. Nuk dua të ndalem në shumë ngjarje që kam hetuar apo aktualisht jam duke hetuar, pasi nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë objektiv i punës sime lancimi i ngjarjeve, por qëllimi është lufta kundër kriminalitetit dhe mbrojtja ndaj interesit publik në çdo moment, sipas betimit të bërë para Kushtetutës dhe që jam betuar që do t’a mbroj solemnisht në çdo moment.
Do të ju lutesha dhe do ju kërkoja që të ndërmerrnin masat përkatëse ato instucione që ligjërisht kanë detyrimin të verifikojnë vendimmarrjen time, duke theksuar se jam e gatshme të përballem me çdo pasojë të mundshme, pasi kam bindjen e plotë që vendimarrja ime mund dhe duhet të vlerësohet vetëm nga organet e përcaktuara nga Kushteta dhe ligji, por jo nga institucione jashtë pushtetit gjyqësor. Lejimi i faktit të kundërt do të cenonte rëndë parime themelore kushtetuese.
Kërkesat:
Në përfundim, në përputhje me kompetencat tuaja, lutem nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që:
1. Të analizojë sjelljen e Kryeministrit në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve;
2. Të shqyrtojë mundësinë e një deklarate zyrtare në mbrojtje të trupës së Prokurorëve nga sulme të papranueshme politike, duke theksuar se në lidhje me rastin tim individual jam e gatshme të hetohem para të gjithë organeve të drejtësisë;
3. Të ndërmarrë hapa institucionalë për të garantuar sigurinë dhe integritetin profesional të Magjistratëve që ndihen të persekutuar për shkak të vendimeve të tyre të pavarura.
Deklaroj se jam e gatshme të paraqes çdo dokument shtesë dhe të dëshmoj personalisht për ndikimin që këto deklarata kanë pasur në mjedisin tim profesional dhe emocional.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Lajmi kryesor:
Kritikat e Ramës për Thethin, prokurorja Gjeli ankim në KLP: Deklarata linçuese! Kryeministri: Hartoi ese filozofike për pafajësinë e ndërtimit pa leje
SI.E./r.k./ReportTv.al