Kritiku i artit analizon 14 shfaqjet në festival, Papagjoni: Mjerim i madh, komuniteti artistik-teatror është përçarë!

2 Tetor 2018, 18:54| Përditesimi: 2 Tetor 2018, 20:33

  • Share

Kritiku i artit Josif Papagjoni pas përfundimit të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrove analizon dhe kritikon shfaqjet e 14 trupave nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi.

Profesori vazhdimin e kësaj tradite të nisur në vitet ‘60, por që prej 13 vitesh nuk është zhvilluar (2005), e sheh pozitive. Ndërsa, zhvillimet e mendimeve kritike për shfaqjet i konsideron jo vetëm të vakëta, por edhe të dështuara. Prandaj profesori për kamerën e “Report TV” propozon, që një herë në katër ose në dy vite të bëhet një bienale në Tiranë ose në Prishtinë dhe Shkup.

Ky festival që do të iniciohet nga tre ministritë gjegjëse, duhet që të jetë festival i përzier midis dramës botërore apo dramës shqipe apo i përzier. Në mënyrë që të vendosen kritere më të sakta vlerësimi, sepse shthuret balanca edhe mënyra e vlerësimit. Ne nuk mund që të pretendojmë që tekstet e autorëve shqiptarë me tekstet që kanë marrë gjithë vëmendjen botërore. Në këtë festival mund të ndiqet ky kriter, një festival të dramës shqipe edhe një festival me tekstet klasike.

Josif Papagjoni, kritik arti

 

Përtej ngutjes ndoshta për efekt të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut në Tiranë, e aq më tepër për inaugurimin e ArTurbinës, që nesër sipas profesorit mund të jetë një teatër i lagjes, por jo Teatri Kombëtar, me përzgjedhjen e veprave duhet pasur kujdes. 

Në këtë rast çdo festival një nga elementet kryesor është përzgjedhja, ka një ekip përzgjedhës, që merr përsipër që të nxjerr nga i gjithë produkti katërvjeçar veprat më të spikatura. Duhet tre veta që për katër vite të kryejë selektimin. Dhe së dyti, që të mund të ndërtosh një forum të kritikës, që e pamë që ishte shumë poshtë, sepse nuk thuhet e vërteta në sy. Kritika nëpër tavolina flet. Që të ndërtohet kritika e vërtetë autoritare duhet medoemos, që të jetë forumi i kritikës.

Josif Papagjoni, kritik arti

 

Por, cila ishte shfaqja që ka lënë më shumë gjurmë në këtë festival tek profesori?

Për mua ‘Medea’ është shfaqja më e bukur në këtë festival. Në këtë shfaqje kemi një ekip, që të çon në aromën e vjetër të antikitetit grek, por që nuk mbetet aty, por vjen edhe në domethënie edhe në stile të ligjërimit të sotëm, të njeriut të sotëm.

Josif Papagjoni, kritik arti

Veprat e traditës, të nxjerra nga sirtari ose jo, a tregojnë vlerën reale të teatrove të rretheve?

Unë mendoj se kjo mund të bëhet në një festival për të dramës shqipe, edhe për respekt edhe për ngjallje, por ky tekst ka problem siç ka gjithë dramaturgjia e Ethem Haxhiademit. Duke ardhur tek Pirro këtu lind problemi sesa do ta bëjmë këtë tekst ligjërimor ta shndërrojmë në shfaqje.

Ishte edhe një tekst i teatrit të Ulqinit, “Nana” që është një letërsi e tejkaluar, por mesa duket këtu është bërë edhe një kompromis për të përfaqësuar të gjithë hapësirën shqiptare.

Tek “Senatori Fox” shfaqja ishte e pastër, me një dekor të tipit klasik, por ajo që nuk pëlqeva tek kjo shfaqje është se edhe kjo është e ndërtuar me një artificë, është një letërsi e vjetruar”.

Josif Papagjoni, kritik arti

 

Po Teatri Kombëtar a u përfaqësua denjësisht në këtë Festival?

Më shumë kjo shfaqje është produkt i regjisë edhe i aktorëve, sesa një produkt i merituar i synimeve edhe i lartësisë që duhet që të ketë Teatri Kombëtar në selektimin dhe zgjedhjen e dramës shqipe. Themi Teatri Kombëtar? Për një moment stekën duhet ta shkëpusim, që kjo dramë të jetë një model dhe shëmbëlltyrë për nivelin që ne kërkojmë në TK. A ishte në nivelin e dëshiruar? Jo, nuk ishte. Ajo është një shfaqje që mund të vihet edhe në teatro të tjera, por për TK do kërkoja një nivel përfaqësimi më të lartë.

Josif Papagjoni, kritik arti

 

Krijimi i një komuniteti të vërtetë artistësh, që shkëmbejnë ide, projekte, stile, metodologji është ndër detyrimet që ka sot teatri mbarëshqiptarë edhe që duhet ta ketë si synim edhe festivali i ardhshëm.

Komuniteti i artistëve sot (artistik-teatror) edhe me politikat e shëmtuara që u ndoqën për shkak të godinës, gati është përçarë edhe ravijëzuar politikisht edhe kjo është për të qarë hallin. Mjerim i madh! Ca aktorë apo artistë me PD-n dhe ca me PS-n. Ç’kemi ne me politikën? Arti është mbi politikën? Artisti është një medium i jashtëzakonshëm, nuk ka të bëjë fare me të, është më i fuqishëm. Politikani sot është, nesër nuk është. Ndërsa, një artist kur është intelektual qëndron, ndikon në vetëdijen e publikut.

Josif Papagjoni, kritik arti

 

Festivalin Mbarëkombëtar Të Teatrove Josif Papagjoni e vlerëson për mundësitë që krijohen për shkëmbime përvojash, njohje edhe këmbime projektesh.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?