Aleksei Navalny

Kritiku i Kremlinit, Navalny dërgohet në izolim për herë të 26-të

6 Shkurt, 13:34
  • Share

Sekretarja për media e politikanit të burgosur rus, Aleksei Navalny, ka thënë më 6 shkurt, se kritiku i Kremlinit është dërguar në izolim pesë ditë më parë, për arsye të panjohura.

Sipas Kira Yarmyshit, Navalny do të qëndrojë në izolim për 10 ditë. Kjo është hera e 26-të që ai i është nënshtruar masës së izolimit, prej burgosjes, tre vjet më parë.

Prej kur është burgosur, ai i ka kaluar 293 ditë në izolim. Kjo është hera e tretë që Navalny është në izolim në burgun “Ujku polar” në rajonin rus të Arktikut, ku është transferuar në dhjetor të vitit 2023.

Navalny, i cili ka qenë afër vdekjes, pasi është helmuar me agjent të tipit Noviçok, më 2020 – për çka i fajëson operativët rusë të sigurisë se kanë vepruar në emër të presidentit rus, Vladimir Putinit – është ndaluar më 17 janar 2021, në aeroportin e Moskës, pasi ka arritur aty prej Gjermanisë, ku është trajtuar pas helmimit.

Ai është dënuar me dy vjet e gjysmë burgim për shkelje të rregullave të një dënimi me kusht. Kremlini e ka mohuar akuzën e Navalnyt, se është përfshirë në helmimin e tij.

Akuzat për të cilat është dënuar Navlany konsiderohen gjerësisht si të motivuara politikisht.

Në mars të vitit 2022, Navalny është dënuar me nëntë vjet burgim me akuzat për përvetësim, të cilat ekipi i tij i ka konsideruar të motivuara politikisht.

Më vonë, Fondacioni Kundër Korrupsionit, në krye me Nanvalnyn, është shpallur organizatë terroriste dhe i është ndaluar veprimtaria.

Në gusht të vitit të kaluar, një gjykatë e ka dënuar Navalnyn me 10 vjet burgim, dhe e ka dërguar në një “regjim special” shumë të ashpër.

Burgu, “Ujku polar”, ku është dërguar Navalny, konsiderohet një prej burgjeve me sistemin më strikt në gjithë Rusinë./REL

 

 

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?