Ekonomi

'Kriza e energjisë, sfidë e jashtëzakonshme', BSH: Rrezikon ekonominë dhe të ardhurat! Masa për të siguruar furnizimin e për të mbrojtur familjet në nevojë

29 Shtator 2022, 14:47| Përditesimi: 29 Shtator 2022, 16:32

  • Share

 “Në rastin e reshjeve të pamjaftueshme, ekonomia do të përballet me një sfidë të jashtëzakonshme, e cila do të ndihet në forma të ndryshme nga të gjitha subjektet ekonomike e shoqërore”, kështu e përkufizon Banka e Shqipërisë krizën energjetike që ka rreth një vit që ka nisur dhe që po avancon çdo ditë e më shumë, e ndikuar edhe nga lufta në Ukrainë.

Në raportin e stabilitetit financiar për gjashtëmujorin e parë të këtij viti të Bankës së Shqipëri, thuhet se fakti që ne importojmë energji është rrezik për ekonominë dhe që mund të sjellë rritje të kredive me probleme.

“Rritja e mëtejshme e çmimit të energjisë elektrike dhe e çmimeve të konsumit të ashpra siç janë tani, mund të çojnë në ngadalësim të ekonomisë, ulje të fuqisë paguese të bizneseve dhe konsumatorëve, si dhe rritje të kredive me probleme për sektorin bankar”, thotë Klodion Shehu, Drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar.

Aktualisht KESH raporton importe në vlerën e 350 milionë euro, ndërsa nga 1 tetori nis aplikimi i fashës së energjisë për familjet që konsumojnë mbi 800 kilovat në muaj që do paguajnë 42 lekë për çdo kilovat mbi fashën. Por banka thotë se duhet të merren masa financiare për të garantuar importet në muajit e dimrit dhe kërkon mbështetje financiare për familjet në nevojë.

“Në afat të shkurtër marrin rëndësi masat për zbutjen e goditjes ndaj shtresave më nevojtare të shoqërisë dhe shërbimeve kritike, për krijimin e burimeve/rezervave financiare për blerjen e energjisë së nevojshme përgjatë periudhës së ardhshme vjeshtë-dimër, për përdorimin e energjisë ekzistuese në mënyrë eficiente dhe për gjetjen e burimeve të përkohshme shtesë të energjisë”, thuhet në raport.

Më tej ekspertët vlerësojnë se duhet avancuar me diversifikimin e burimeve të brendshme të prodhimit të energjisë.

“Paralelisht, duhet synuar përshpejtimi i zbatimit të projekteve që synojnë zgjerimin dhe diversifikimin e burimeve të brendshme të prodhimit të energjisë. Në një afat më të gjatë dhe në kushtet e ndikimit nga ndryshimet e klimës, plotësimi i bazës ligjore dhe i procedurave për zhvillimin e mëtejshëm të burimeve alternative të energjisë së rinovueshme (krahas asaj hidrike) dhe zbatimi i stimujve për përdorimin e kësaj energjie nga subjektet ekonomike përgjatë një periudhe tranzitore, do të jepnin një kontribut themelor në plotësimin e nevojave të ekonomisë së vendit për energji me një shkallë më të lartë pavarësie dhe në mënyrë të qëndrueshme”, vijon më tej raporti.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?