Kreu i shoqatës ‘Pro Eksport Albania’, Edvin Prençe i ftuar në studion e emisionit ‘5 pyetjet’ me gazetarin Ilir Babaramo në Report Tv tha se biznesi fason nuk kërkon lëmoshë nga qeveria por marrjen e kredive të buta.
“Nuk po kërkojmë lëmoshë, kërkojmë të marrim kredi të buta të kemi mundësi të bëjmë investimet e nevojshme. Vjen si pasojë e mungesës së theksuar të fondeve të likuiditetit që vjen pas tërmetit dhe pandemisë dhe tani fasoneritë janë në kufijtë e mbijetesës. Kredia do përdoret për modernizimin e impianteve prodhuese. Automatizimin, rritjen e cilësisë, promovimi që deri më tani nuk është bërë. Ky promovim na jep mundësinë që me fondet e qeverisë të promovojmë së pari Shqipërinë dhe më pas atë aktivitetin tonë”-tha Prençe.
Ndërsa më tej, teksa u pyet nga Babaramo mbi kursin e këmbimit valutor, tha se kriza mund të zgjidhej nëse kursi do të rikthehej siç ishte por theksoi se një rënie e tillë nuk lidhet vetëm me performancën ekonomike të vendit.
“Unë nuk jam ekspert, por mendoj se një trend i rënies kaq të fortë më duket e pamundur dhe nuk mendoj se ka qenë performanca ekonomike që e ka çuar kursin në këtë situatë”- shtoi ai.
Lajmi kryesor:
Biznesi fason në krizë, Malaj: Të ristrukturohet sipas tregut, jo me urdhër! Prençe: Nëse nuk veprohet, deri në qershor mund të jenë 20 mijë të larguar nga puna
B.V//ReportTv.al