Në kufijtë e Bashkimit Europian situata është shumë kritike me emigrantët. Kjo situata ka 'detyruar' kancelaren gjermane në detyrë, Angela Merkel që të zhvillojë një telefonatë me presidentin rus, Vladimir Putin ditën e sotme
Sipas një deklarate të dhënë nga zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, Merkel i ka thënë Putinit se "instrumentalizimi i migrantëve" nga Bjellorusia është jo human dhe i papranueshëm. Ajo i është drejtuar Putinit që të influencojë në këtë krizë ndaj regjimit autoritar të Lukashenkos.
Polonia dhe Bashkimi Evropian akuzojnë Minskun për shfrytëzimin e emigrantëve si 'armë' duke i ftuar ata të hyjnë në Bjellorusi dhe më pas duke i drejtuar në kufi, ndonjëherë edhe me forcë. Duke vizituar zonën kufitare të martën, kryeministri polak Mateusz Morawiecki, vlerësoi punën e 12,000 trupave që qeveria ka vendosur për të mbrojtur kufirin.
“Ne e dimë se ky është një operacion plotësisht i planifikuar, i cili synon të dëmtojë sovranitetin e vendit tonë. Kjo është absolutisht e qartë për ne”, kryeministri polak.
“Regjimi i (presidentit të Bjellorusisë Aleksander) Lukashenko po përdor civilët si armë të një lufte hibride. Ajo që mund të shohim sot janë metoda të reja dhe ju jeni një fortesë thelbësore për t'u mbrojtur nga këto metoda të reja”, shtoi ai.
Polonia mbylli të martën vendkalimin kryesor kufitar me Bjellorusinë, që është rruga kryesore për trafikun rrugor midis Evropës veriore dhe Rusisë.