Ekonomi

Kriza energjetike, debati në Report Tv/ Bejtja: Qytetarët mund të jetojnë me më pak energji! Elezaj: Po vidhet barbarisht, Qeveria keqmenaxhon me dashje

26 Shtator 2022, 13:46| Përditesimi: 26 Shtator 2022, 16:36

  • Share

Zv.ministri i Energjisë, Ilir Bejtja dhe eksperti Eduart Elezaj patën përplasje mendimesh për vendimin e fashës për faturim me 42 lekë me TVSH për çdo kilovat që kalon mbi 800 KW/muaj duke qenë se e gjithë bota po përballet me krizë energjetike.

Në emisionin “Sot, live në Shqipëri” me gazetarët Migena Sotiri dhe Nertil Agalliu, zv.ministri i Energjisë u shpreh se është masë edukuese për të gjithë konsumatorët dhe nuk ka synim ta bëjë më të vështirë dimrin për askënd, por të reduktojnë energjinë dhe të konsumojnë deri në 800 KW/muaj e të faturohen me 9.5 lekë për çdo kilovat.

“Është një masë edukuese, nuk ka qëllim të dëmtojë askënd por t’i ofrojë të gjithëve një sasi të mjaftueshme. Situata e vështirë nuk është vetëm për qeverinë, por për të gjithë ne. Nëse jemi më të vëmendshëm ndaj energjisë elektrike siç jemi me konsumet e tjera, do të kemi një rezultat në kursim. Ky mesazh i drejtohet të gjithë konsumatorëve që në masë nuk shpenzojnë më shumë se 256 KW, pjesa dërrmuese është nën 900 KW ndaj është e mundur të jetojmë me më pak energji.

Java e fundit e dhjetorit shkon mbi 1300 MGW në konsum ndërsa nga 1 qershori deri në fund të gushtit, kemi pasur një mesatare deri në 1200 MGW. Është e mundur të kursehet energji”, tha Bejtja.

Ndërsa eksperti Eduart Elezaj kishte Kritika ndaj qeverisë duke thënë se atë që e quajnë krizë energjetike në fakt është keqmenaxhim i Kaskadës së Drinit. Teksa kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja thonë shpesh se çmimi i energjisë ka arritur në shifra marramendëse, eksperti thotë se të gjithë javën, në bursë nuk është çmimi më i lartë se 150 euro.

“Problemi është tek tarifa. 3 kompanitë, Korporata e Energjisë, OST dhe OSHEE duhet të aplikojnë pranë Entit Rregullator dhe të bëjnë publike kërkesat e tyre, të shqyrtohen nga grupet e interesit.

Tarifa e cila rregullohet, ajo që i përket shtetit është vetëm konsum 3.2 terravat sepse biznesi në nivelet 35 e sipër ka dalë në treg. Ata nuk kanë lidhje. Koropata e Energjisë ka për detyrë të prodhojë 3.8 terravat në kohën e thatë dhe 4.2 në periudhë tjetër. Këta rrisin çmimet gjasme për kursim. Ka keqmenaxhim dhe vjedhje. Këta i referohen bursës ditë e natë dhe për çudi gjithë javën bursa është 100-150 euro dhe vetëm ai moment javor se blihet energji referuar ditës. Këta blejnë energji vetëm 2-3 ditë ndërsa gjatë verës, Shqipëria duhet të ketë 2000 MGW në rezerva. Këto abuzime cenuan sigurinë e furnizimit për qytetarët duke lëvizur keqmenaxhim të Kaskadës së Drinit dhe ne arritëm të shprehim frazën krizë. Është keqmenaxhim me dashje ose vjedhje me barbari”, tha Elezaj.

Si kundërpërgjigje, Ilir Bejtja bëri me dije se Shqipëria nuk blen në bursë energji elektrike por e kanë si pikë referimi. Ndër të tjera u shpreh se qeveria bën parashikim për blerje të energjisë duke u bazuar tek moti.

“Ne prodhojmë në mënyrë sezonale dhe përballojmë me rezervën tonë jo më shumë se korriku dhe më pas nisim nga importi. Çmimet nga 50 euro që ishin të importeve, shkuan në dhjetor 230 euro dhe nuk u shkëput kjo ecje gjatë 2022. Kulmi në mars ka qenë 480 euro. Pastaj çmenduri të çmimeve deri në 500 euro dhe nuk mund të kontrollojmë blerjet. Do të shfrytëzojmë Kaskadën për të blerë sa më lirë. Ne nuk blejmë në bursë, edhe pse e kemi pikë referimi. Kemi blerë disa dhjetëra më lirë se bursa. Është një vit super i thatë. Ne në fund të vitit shkojmë 28 miliardë lekë importe. Nuk jemi si shumë vite më parë kur parashikimi ishte ditor. Ne parashikojmë motin deri në 2 javë, parashikojmë reshjet që do të vijnë që edhe me blerjet e energjisë të jenë 1-2 herë në javë”, tha Bejtja.

Ora 14:55
Eksperti: Nuk ka shifër sesa familje preken! Zv.ministri tregon shifrat nga telefoni: Janë 39 mijë abonentë që do paguajnë më shumë

 

Debatet në studio nuk munguan as për numrin e familjarëve që do të preken nga vendosja e fashës 800 kilovat. Eksperti i energjisë thotë se qeveria nuk ka një shifër të saktë, madje e konsideron të paligjshme mënyrën sesi është marrë vendimi. 

“Nuk kanë një ide sesi mund ta zhvillojnë sektorin më mirë, ideja e tyre është thjesht rrit çmimin e konsumatorit. Të gjithë do të preken nga kjo rritje e tarifës, shifrat janë të gjitha kontradiktore, ministrja thotë 56 mijë, tani thuhet 39 mijë”, tha Elezaj.

Kësaj akuze ju përgjigj zëvendësministri Bejtja, i cili tha se mban përgjegjësi për ccdo të dhënë që bën publike, dhe për të treguar numrin e familjeve që preken tregoi të dhënat e fundit që dispononte në telefonin e tij. 

“Edhe kalkulimi është i paligjshëm  edhe forma e marrjes së këtij vendimi është totalisht e paligjshme.
39,093 konsumatorë janë mbi fashën 800 kilovat, ose 3.58% e totalit të numrit të konsumatorëve. Është një pullë  shumë e vogël për të pasur një konsum kaq të madh të konsumit vjetor të të gjithë Shqipërisë. Është me të vërtetë e papranueshme.  Harxhojnë më tepër sesa na kushton ne 100 milionë euro”, tha Bejtja.

Për të përcaktuar këtë fashë të energjisë, Bejtja tha se janë marrë si referencë të dhënat e konsumit të vitit të kaluar, dhe të dhënat që disponojnë institucionet për 8 mujorin e këtij viti.

Ora 14:34
Debat mbi konsumin energjisë/ Bejtja: Kemi llogaritur mbajtjen e kondicionerit në 8 orë ndezur! Elezaj: Qeveria s’ka strategji! Llogarit sa harxhon shkarkuesja e tualetit

 

Zv.ministri Ilir Bejtja dhe eksperti Eduart Elezaj kanë debatuar në “Sot, live në Shqipëri” për planin e qeverisë për të përballuar krizës energjetike. Duke iu referuar tabelës së publikuar nga Ministria e Infrastrukturës për konsumin e energjisë sipas pajisjeve, Elezaj kishte Kritika ndaj Belinda Ballukut duke thënë se nuk shpalos strategji, por llogarit sa shpenzon shkarkuesja e tualetit.

Bejtja: Në fashën e përcaktuar dikur nga qeveria, kanë qenë 300 KË të parashikuara për çdo gjë. Sot vetëm për ngrohjen janë 258 KË/muaj. Janë llogaritur 8.6 KË në ditë janë vetëm nga kondicionimi që janë rreth 8 orë në ditë.

Elezaj: E kuptoni çfarë po diskutojmë. Kemi arritur sa të llogarisim sa harxhon dhe shkarkuesja e banjës. Ky është treg dhe t’i thuash tjetrit mos harxho mall është keqmenaxhim. Del Ministrja në vend të shpalosë strategji, tregon sa harxhon lavatriçja e kondicioneri. Ajo nuk e njeh sektorin.

Bejtja: E ke dëgjuar Ministrja? I fshive me gomë gjithë çfarë ka thënë? E ke çuar televizorin vetëm tek sporti.

Elezaj: Këto nuk kanë ndonjë strategji, nuk kanë pasur asnjëherë ndonjë analizë. Problemi i dytë që sa konsumatorë preken. A preken familjet? Të gjitha preken, 100% sepse kjo kosto e energjisë shkon për të gjitha llojet, është dhe për furrat e bukës, dhe për supermarketet. Çmimet do t’i reflektohen qytetarëve.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sifi: 26/09/2022 19:57

    Bejtja po thote te verten por Elezaj ( nuj e di cfar specialusti eshte ) ja fut kot si militant . Bota e ka fashen per te varfrit 300 kw ne muaj kurse ne Shqiperi e duan 800 kw.p Nuk e kuptoj keto qe kalojne 800 kw jane bizbese apo familje ?

    Përgjigju
  • Petrol: 26/09/2022 14:31

    Bejtja ftyra e qelbur e keqmenaxhimit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?