Në përpjekje për të përbvalluar krizën humanitare në Afganistan Kombet e Bashkuara do të organizojnë ditën e sotme një konferencë për ndihma, me qëllim të mbledhjes së gati 600 milionë dollarëve . Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, zyrtarë tjerë të lartë të OKB-së dhe mbi 40 ministra, pritet të marrin pjesë në konferencën në Gjenevë, Zvicër.
OKB ka theksuar se edhe para ardhjes në pushtet të talebanëve gjysma e popullsisë në Afganistan ka qenë e varur nga ndihmat ndërkombëtare, por thatësia e madhe si dhe mungesa e parave të gatshme dhe ushqimit, kërcënon ta përkeqësojë situatën.
“Tani është gara kundër kohës dhe borës për të dorëzuar ndihmën tejet të nevojshme për popullin afgan”, ka thënë Anthea Webb, zëvendësdrejtore rajonale në Programin Botëror të Ushqimit.
Komisionari i OKB-së për Refugjatë, Filippo Grandi, ka paralajmëruar më 12 shtator se “rikthimi i luftimeve, shkelja e të drejtave të njerëzve dhe shkatërrimi i ekonomisë dhe shërbimeve bazike sociale”, mund të rezultojë me më shumë largime të afganëve jashtë shtetit.
Ndërkohë që shumica e aseteve të Bankës Qendrore të Afganistanit, në vlerë të 10 miliardë dollarëve, janë bllokuar nga autoritetet e huaja, prej kur talebanët kanë marrë pushtetin muajin e kaluar.
Mijëra qytetarë afganë kanë pritur me ditë të tëra në radhë para bankave për të tërhequr paratë nga bankat, me një limit tërheqjeje vetëm prej 100 dollarësh duke u bërë paralajmërues të një krize që po troket.