Kriza në Bjellorusi/ Autoritetet pezullojnë për tre muaj televizionin e pavarur Tut.by

1 Tetor 2020, 15:39| Përditesimi: 1 Tetor 2020, 15:41

  • Share

Autoritetet në Bjellorusi kanë pezulluar për tre muaj punën e televizionit të pavarur të lajmeve Tut.by

Tut.by është ofruesi kryesor i lajmeve në vend dhe ka mbuluar me realitet maksimal protestat të cilat po zhvillohen që prej ditës së zgjedhjeve të 9 gushtit, të cilat sipas opozitës ishin të manipuluara dhe nga ku presidenti Aleksandër Lukashenko fitoi mandatin e tij të gjashtë për të qëndruar në pushtet. Gjithashtu televizioni ka qënë edhe ofruesi kryesor i pamjeve të dhunës së ushtruar nga policia mbi protestuesit.

Qeveria në Bjellorusi gjithashtu po e bën gjithnjë e më të vështirë punën për gazetarët e huaj për të pasqyruar atë që po ndodh në rrugët e Minskut dhe qyteteve të tjera.

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya, nisi dje krijimin e kabinetit qeveritar në hije.

Ndihmësit e Tsikhanouskayas njoftuan të mërkurën në një kanal të opozitës në aplikacionin Telegram, se avokati për të drejtat e njeriut, Hary Pahanyayla - i cili ka mbrojtur shumë aktivistë dhe gazetarë në Bjellorusi - do të jetë përfaqësues i Tsikhanouskayas për çështje të të drejtave të njeriut, ndërsa eksperti i ekonomisë, Ales Alyakhnovich, është emëruar përfaqësues për reformat ekonomike.

Deklarata po ashtu citon Tsikhanouskayan të ketë thënë se "regjimi i Alyaksandër Lukashenkos nuk është thjesht i paligjshëm, por gjithashtu i paaftë për të kryer detyrat e tij".

"Ne nuk mund të qëndrojmë më pasivë dhe të shikojmë se si vendi po zhytet më tej në krizë”, tha Tsikhanouskaya, një ditë pasi zhvilloi bisedime me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Vilnius.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?