"Shqipëria po bën vërtetë më të mirën, bashkë me Suedinë". Kështu shprehet kryeministri i Shqipërisë Edi Rama pas propozimit që bëri pak ditë më parë për të vizituar Bjellorusinë në cilësinë e kreut të OSBE-së për të ndërmjetësuar për zgjidhjen e krizës pas zgjedhjeve që nxorën fitues diktatorin Lukashenko, por që sollën valën e protestave masive duke u përshkallëzuar.
Por në Minks, thotë më tej Edi Rama, OSBE nuk shkon për selfie në protestë, po për të komunikuar me qeverinë dhe opozitën, çka kërkon aprovimin e të dyja palëve duke nënkuptuar se ende nuk është marrë drita jeshile, prandaj u përgjigjet më tej kritikëve, Shqipëria nuk ka humbur asnjë shans. Kryeministri Rama thotë se BE-ja e ka mbështetur nismën e tij dhe po punohet për të realizuar misionin në Bjellorusi.
"Disa shqipe të politikës së madhe që fluturojnë lart, po vrerosen pse nuk kam shkuar në Minsk dhe ia paskam humbur një shans Shqipërisë! Në Minsk OSBE nuk shkon për selfie në protestë, po për të komunikuar me qeverinë dhe opozitën, çka kërkon aprovimin e të dyja palëve.
Dhe si gjithnjë, ndërkohë që BE-ja si e tërë e disa shtete kryesore të saj e kanë mbështetur nismën e Shqipërisë dhe po punojnë ngushtësisht me ne, prej ditësh për ta marrë mundësuar misionin atje, shqipet në fjalë hedhin glasa mbi Shqipërinë nga lartësia e padijenisë së tyre!
Unë jam krenar për faktin se megjithë kohën e mallkuar të pandemisë, lidershipi ynë i OSBE ka kryer me sukses punën e premtuar dhe ka fituar respekt e besim ndërkombëtarisht, çka e tregon qartë edhe referimi i BE-së ndaj ofertës së OSBE për Minskun.
Nuk i kemi bërë publike komunikimet e shpeshta të këtyre ditëve me aktorë të niveleve të larta në BE e jo vetëm, sepse kjo është natyra e punës në këtë fazë, por dua t'i siguroj të gjithë të interesuarit për këtë temë se Shqipëria po bën vërtetë më të mirën, bashkë me Suedinë" shkruan Rama.
Këshilli Europian dhe Presidenti Charles Michel pranoi propozimin e Kryeministrit Rama në cilësinë e kreut të OSBE për të zhvilluar një takim me presidentin bjellorus Lukashenko dhe lideren e opozitës SvetlanaTikhanovkaya.
Liderët e Europës vendosën që të mos njihnin zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi, të cilat nxjerrin fitues Alexandër Lukashenko, duke iu përgjigjur kështu thirrjes së opozitës në Bjellorusi. Kancelaria Gjermane, Angela Merkel i quajti zgjedhjet në Bjellorusi “as të lira e as të drejta”.