Sociale

Kriza në Bujqësi, bie ndjeshëm kultivimi i bostanorëve! Fermerët në Myzeqe braktisin shalqirin e pjeprin, 100 hektarë rënie: Nuk ka treg!

28 Maj, 17:02| Përditesimi: 28 Maj, 18:08

  • Share

Në fushën e Myzeqesë, një nga zonat më të njohura për prodhimin bujqësor në vend, po vërehet një rënie drastike e sipërfaqeve të mbjella me bostanore, kryesisht me shalqi.

“Report TV” kreu vëzhgim në fshatrat Suk, Frakull dhe Levan, ku mungesa e tregut, ndryshimet klimatike dhe mungesa e fuqisë punëtore po çojnë fermerët drejt braktisjes së kësaj kulture bujqësore. Kjo ka bërë që edhe sipërfaqja e kultivuar me shalqi të reduktohet ndjeshëm në zonën e Myzeqesë.

Në fshatin Suk 1, të Roskovecit, fermeri Saimir Kodheli thotë se nga 5 ha që kishte mbjellë vitin e kaluar, këtë vit ka mbjelle vetëm 2 ha.

“Nuk kisha leverdi ta mbillja me 110 lekë të vjetra dhe nga 5 hektarë bëra 2 hektarë. Ja dhe serrat aty, gjitha ai trangull i mbetur”, shprehet ai për televizionin.

E njëjta situatë paraqitet në njesive administrative Frakull, e njohur jo vetëm për kultivimin e luleshtrydhes, por dhe të bostanoreve.

Sipas agronomit Erando Troka, nga 230 ha sipërfaqja e mbjellë me shalqi sivjet është reduktuar në 130 ha.

“Ka tre arsye kryesore; mungesa e tregut, kushtet atmosferike dhe mungesa e fuqisë punëtore. Këto faktorë çojnë në përgjysmimin e të mbjellave, jo vetëm me shalqi, por edhe luleshtrydhe, domate, spec, kastravecë etj., që kultivoheshin më parë”.

Rënia e sipërfaqeve të kultivuara vihet re në të gjitha kulturat bujqësore ndaj apelon institucionet përgjegjëse të mbështesin fermerët. Po kështu dhe në fshatrat e njësisë administrative Levan, sipërfaqet e kultivuara me bostanore janë reduktuar ndjeshëm.

Fermeri Enver Selamaj thotë se nga 7 dynym që mbolli sezonin e kaluar, këtë sezon ka mbjellë vetëm 1 dynym.

“Kam pas mbjell bostan dhe perime me sipërfaqe të mëdha dhe punëtorë, 10 apo 12, kurse përsa i përket bostanoreve vjet kemi dalë me humbje”.

Përballë kësaj situate fermerët kërkojnë politika mbështetëse nga Qeveria, pasi kultivimi i bostanoreve në këto zona do të reduktohet tërësisht dhe do të mbillet vetëm sa për konsum familjar, ndërkohë që sipërfaqe të tëra rrezikojnë të mbeten djerrë.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 29/05/2025 02:14

    Se pari mos mbillni siperfaqet vetem me nje lloj prodhimi,e jo me sasi te medha.Se dyti,ndiqni me kujdes tregun,tarifat.Mbillni soje.Ne pamje te pare nuk eshte nje bime shume e njohur ne tregun shqiptar,por eshte fitimprurese se jep mjaft prodhim dhe e keni tregun e saj-Kinen-te sigurte.Para tarifave, U.S ishte eksportuesi kryesor i sojes ne Kine,por qe kur u vendosen tarifat,Kina eshte detyruar te gjeje tregje te tjera ku t'a bleje.Ka ardhur koha qe fermeret te hyjne ne tregun e sojes.Prej sojes nxirret kryesisht qumeshti i sojes,qe po te ishin mundesite e perpunimit,mund te gjente treg dhe ne Shqiperi e BE,gjithashtu prodhohet dhe nje imitues djathi-Tofu,mjaft i perdorur ne Azine e larget,por dhe ne dieten vegane ne pergjithesi.Se treti,minimumi qe mund te beje shteti eshte orientimi vjetor i mbjelljeve duke i orientuar fermeret ne baze te klimes,tregut e farave,hibrideve.Soja ishte vetem nje shembull,por ka plot bime te tjera qe mund te sjellin fitim po te kete nje guide orientuese.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?