Speciale

Kriza në familje, të drejtat e LGBTI dhe xhamia e plumbit, flet për Report Tv myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari: Politika të mos prekë Kodin e familjes

20 Nëntor 2021, 14:34| Përditesimi: 22 Nëntor 2021, 19:29

  • Share

16 nëntori i vitit 1990 është një datë e rëndësishme për mbarë besimtarët myslimanë në Shqipëri, është dita në të cilën e mira triumfoi mbi të keqen dhe simbolizon rikthimin e lirisë së besimit në Shqipëri, me hapjen e xhamisë së Plumbit në Shkodër.

Në kuadër të kësaj date të rëndësishme, Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Syrtari ka dhënë një intervistë për Report Tv, në ambientet e xhamisë së Plumbit, aty ku 31 vite më parë besimtarët myslimanë do t’i rikthehen besimit ndaj zotit.

Por gjatë intervistës Myftiu Syrtari u ndal edhe tek ndryshimet që janë propozuar për ndryshimin e kodit të familjes, ku kërkoi dhe beson se deputetët e parlamentit shqiptar nuk do të bëjnë një gjë të tillë.

Në fund të intervistës, Myftiu Syrtari u ndal edhe tek rëndësia e objektit të kultit, Xhamia e Plumbit e cila është monument kulture dhe mbrohet nga shteti edhe pse ende prej vitesh diskutohet për një projekt për rikonstruksionin e plotë të xhamisë, por ende nuk është lëvizur asnjë gur. 

Intervista e plotw
Përshëndetje të nderuar miq! Kam kënaqësinë të kem sot një intervistë me Myftiun e Shkodrës, Imam Muhamet Sytari. Të falënderoj shumë për kohën që gjete për këtë intervistë, e cila vjen në një kohë tejet të rëndësishme për besimin islam në Shqipëri, por për vetë zanafillën e një date të rëndësishme për rihapjen e besimit, siç është 16 nëntori. Të falënderoj shumë që pranove ftesën!

Faleminderit për këtë mundësi, edhe patjetër që 16 nëntori i 1990-s është një datë e shënuar historike në arkivat e historisë sonë kombëtare, ashtu sikurse kam shkruar edhe para disa ditësh. Është një datë e cila lidhet me vetëdijen tonë kombëtare edhe me vullnetin e palëkundur të njerëzve për të dalë, si të thuash, nga bunkerët e izolimit shpirtëror, intelektual, qytetar, politik të të gjitha drejtimeve, për të dëshmuar lirinë dhe për të kërkuar përpara tërë botës për të qenë individ, shoqëri dhe popull i barabartë mes të barabartëve në liri dhe me bezim në Zotin edhe në bashkëpunim dorë për dore me njëri-tjetrin për të mirën e këtij vendi, për të mirën e shoqërisë, për të mirën e të ardhmes.

Megjithatë, kanë kaluar 31 vite dhe duket se mesazhet e asaj dite nga hafiz Sabri Koçi vazhdojnë të jenë ende sot, më shumë sesa asnjëherë tjetër ndoshta, reale, të prekshme, mesazhe të cilat kanënevojë të përsëriten por kryesisht edhe nga brezi i ri.

Patjetër, në mesazhin e hafiz Sabri Koçit janë disa pika, disa stacione që besoj dhe mendoj se u vlejnë të gjithëve edhe sot e kësaj dite. Unë kam dëshirë të fokusohem në tri pika të atij mesazhi që është fillimisht ajo fjalë e madhe e hafizit, kur i drejtohet turmës që ka mbushur krejt këtë vend. Sot edhe po të duam ta rikthejmë atë madhështi, nuk e arrijmë dot, megjithëse mjetet dhe mundësitë janë shumë më të mëdha. Ai thotë: “Të dashur dhe të shtrenjtë vëllezër dhe motra mylimanë, katolikë, ortodoksë shqiptarë”. Pra, ka një mesazh. I pari, që është shumë i rëndësishëm, është mesazhi i vëllazërisë sonë kombëtare, edhe i harmonisë kombëtare, bazuar mbi tabanin fetar. Atë taban dhe atë djep, në të cilin është përkundur edhe hafizi në rininë e tij, por janë përkundur edhe rilindësit tanë, janë përkundur njerëzit më të shumtë të kombit tonë, që prej aty kanë dalë dhe prej asaj nxitjeje kanë bërë çfarë kanë bërë për të mirën e kombit. Është shumë e rëndësishme që edhe në të sotmen, rinia në veçanti, të kuptojë se përtej arritjeve në jetë, përtej mundësive që na jepen në jetë, është shumë e rëndësishme që individi shqiptar, kudo që të jetë ta ndiejë veten brenda një familjeje të madhe. Kjo është familja e harmonisë kombëtare, që përkundet në djepin e besimit të sinqertë dhe të besimit të pastër në Zotin dhe në vlerat e librave të shenjtë. Është shumë e rëndësishme që individi i sotëm shqiptar ta ndiejë veten, sidomos edhe në vigjilje të kësaj date të rëndësishme, ta ndiejë veten pjesë të një familjeje të shëndoshë, të një familjeje ku respektohen disa kode, të një familjeje ku respektohen disa kanune, nëse vlen të themi kështu për të mirën e individit të sotëm ose të së ardhmes. Mesazhi i dytë është ajo fjala e madhe e hafizit, kur i drejtohet masës duke thënë, ku njëkohësisht ai nënkupton edhe politikën, që njerëzit t’i lënë të lirë siç i ka krijuar Zoti të lirë, në daç të besojnë, në daç të mos besojnë, por të jetë i lirë njeriu, jo të imponohet, jo të dhunohet në fe sepse ne në Islam themi që nuk ka dhunë në fe. Nuk ka dhunë në fe dhe nuk mund të jetë feja me dhunë, nuk mund të jetë besimi me dhunë. Por natyrshëm, ne e pamë dhe e dëshmuam që për dekada shqiptarët u dhunuan në besimin e tyre, në prirjet e tyre, në vokacionet e tyre të ndryshme shpirtërore, intelektuale, politike, kulturore e kështu me radhë. Mirëpo kjo nuk sjell ndërtim, kjo sjell stereotipe, sjell modele të mangëta që nuk ka të mirë prej tyre. Dhe nuk ka të mirë as e sotmja, as e ardhmja dhe Shqipëria është modeli më i mirë i kësaj, d.m.th. po të kishte një të mirë nga diktatura do ta shihnim dhe do ta dëshmonim dhe nuk do të ishim në këtë gjendje ku jemi sot. Nuk jemi në këtë pikë sot për shkak të besimit. Jemi në këtë pikë sot për mungesë të besimit, për shkelje të besimit, për dhunim të besimit, për, si të thuash, përpjekje për t’i marrë frymën besimit të njerëzve. Me fjalë të tjera, jemi në këtë pikë për mos llogaritjen ose për mos bërjen siç duhet të llogarive me lirinë, që është e shenjtë në vetvete. Zoti na ka falur të lirë, siç thoshte edhe Hazreti Omeri i madh që kur i keni robëruar njerëzit ndërkohë që nënat i kanë lindur të lirë. Pra Zoti na ka falur të lirë. Zoti na ka falur të lirë për të përzgjedhur besimin dhe mosbesimin, çështja është shumë e thjeshtë dhe shumë e qartë, liria. Dhe pika e tretë, ka një urtësi të cilën hafizi e përzgjedh me shumë finesë kur u thotë njerëzve që të shkoni të punoni, shkoni dhe punoni. Kur të vijë koha e namazit dhe ai nënkupton xhumanë, hajdeni në xhami, që do të thotë se Islami, nëpërmjet mesazhit të hafizit, do të na thotë se ne duhet të zhvillojmë jetën, duhet të ecim përpara. Duhet të ecim përpara me besimin në Zotin, me vetëdijen tonë se jemi të lirë dhe të aftë për të punuar dhe për të përsosur çdo gjë që bëjmë dhe të punojmë fort dhe të lodhemi ditë e natë, për të mirën tonë, për të mirën e shoqërisë sonë, për të mirën e tokës sonë, të vendit tonë, të atdheut tonë, në mënyrë që të zhvillohet vendi, të zhvillohet shoqëria dhe të ecë përpara individi dhe shqiptarët në përgjithësi, mbarë njerëzimi. Besimi, liria, puna, besoj se janë tri shtylla shumë të rëndësishme që përkufizojnë më së miri dhe mundësinë apo aftësinë e një populli për t’u dëshmuar elitar në mesin e popujve të botës.

Në fakt, duke qëndruar edhe te mesazhet që ju përmendët, te tri pikat, ndoshta si vijim i kësaj bisede, familja është një nga temat me të cilat ditët e fundit shoqëria shqiptare është përballur me një lloj tendence dezinformimi apo një lloj ndryshimi të situatës apo tabanit historik të familjes shqiptare.

Ka disa vite që japim mesazhe në forma të ndryshme për ruajtjen e familjes, për shenjtërimin e familjes, për mos prishjen, mos prekjen dhe mos cenimin e familjes shqiptare, po themi në këtë rast, por që është familja e pastër dhe familja e natyrshme ajo që Zoti na ka udhëzuar drejt saj. Edhe në krye të herës, unë jam i bindur, përtej çdo mjegullnaje, apo tymnaje në këtë temë, unë jam i bindur se deputetët e parlamentit tonë, qeveria jonë, opozita jonë, të gjithë ata burra e gra të nderuar, në radhë të parë janë prindër të mirë dhe prindër të nderuar, që janë bij edhe bija të prindërve të nderuar e të respektuar dhe jam shumë i bindur që ata do të jenë të aftë për të përkthyer me votën e tyre atë që është edhe vokacioni, edhe shpirti, edhe natyra e pastër dhe tabani ynë kombëtar. Unë nuk kam asnjë dyshim tek askush prej deputetëve të parlamentit shqiptar, jam plotësisht i bindur që ata do të bëjnë zgjedhjen më të mirë për ta ruajtur familjen, për të ruajtur kodin e familjes, për të mos lejuar që Shqipëria të bëhet një model i keq dhe një model i mbrapshtë edhe për popujt e tjerë, astu sikurse përpara 50 e ca vitesh u bëmë një model dekadent edhe u bëmë një njollë e errët, e zezë në hartën e madhe të botës, u bëmë vendi i vetëm ateist në botë, që është diçka e turpshme, diçka e pështirë në pamje të parë. Dhe unë besoj se këta burra dhe këto zonja, të nderuar dhe të nderuara, nuk do të lejojnë që ne të rikthehemi dhe të bëhemi një model dekadent edhe për popujt e tjerë, që të thuash që po, është Shqipëria, është Shqipëria që e ka bërë një hap të tillë. Po, është Shqipëria, është parlamenti i Shqipërisë që e ka marrë një hap të tillë. Jo, nuk e besoj unë këtë sepse besoj te tabani, sepse besoj tek uji i fytyrës së gjithsecilit prej atyre, sepse besoj tek ajo që quhet namuzi edhe nderi i tabanit të gjithsecilit prej tyre. E vërteta është se ajo me çfarë përballet sot familja jonë, familja njerëzore në përgjithësi, është si të thuash, një përpjekje e ulët për ta nxjerrë atë nga ai kallëp i shenjtë në të cilin e ka vendosur Zoti i gjithësisë. Por, i dashur, si t’i thuash si të mos i thuash nënës nënë edhe si të mos i thuash babait baba, edhe si të mos e nderosh e respektosh babanë në pozitën e tij dhe nënën në pozitën e saj, kjo është non sens, kjo është jo logjike d.m.th., kjo është e papranueshme dhe për hatrin e kujt, xhanëm?

....politika na ka servirur edhe ndryshime ndoshta jo të këtij lloji, por ndryshime të cilat serviren edhe si një lloj emancipimi për shoqërinë.

Po prandaj duhet të kemi, emancipimi i shoqërisë shkon krah për krah me atë çfarë Zoti na ka udhëzuar drejt saj apo shkon paralel me diçka tjetër, që bie ndesh edhe me vullnetin e Zotit. Me dy fjalë: njeriu, sado që të përpiqet në këtë botë për të gjetur atë që është më e mira, më bashkëkohorja, emancipuese etj., etj., nëse aty nuk është tharmi i besimit dhe tharmi i së shenjtës, ajo nuk ështe dobishme, i dashur. Ne themi në Islam se të gjithë njerëzit janë nevojtarë për Zotin. Edhe më i miri i tyre, në sytë e Zotit është më i dobishmi i tyre për të, që do të thotë se ne jemi të ftuar të kërkojmë, të sjellim ligje të reja, rregulla të reja, të pastrojmë, si të thuash, atë ujin, ta bëjmë të rrjedhë që të jetë i pijshëm, mirëpo nëse nuk është i dobishëm edhe nuk është i përzier me dashurinë e Zotit edhe prekjet e tij, ajo përpjekje e tij është e dështuar dhe është një përpjekje që nuk sjell dobi dhe këtë e kemi parë në historinë e largët edhe të afërt. Janë në shumë vende të botës, edhe në kontinentin tonë, ka ligje, ka ndërmarrje të ndryshme që veçse kanë sjellë shpeshherë edhe katastrofa në mesin e njerëzve. A nuk ishte, po marrim komunizmin, bie fjala, a nuk ishin disa sisteme, edhe sot e kësaj dite, disa sisteme politike që po shkatërrojnë ekonominë e botës? Që po shkatërrojnë individin? Po e skllavërojnë individin edhe në emër të demokracisë, të lirisë e të emancipimit? Do të thotë atëherë se ka nevojë për t’i bërë ca llogari ndryshe, për t’u zhveshur nga materializmi edhe me prekjet e ateizmit, që nuk e pranon Zotin dhe që nuk ka vend për Zotin në jetën tonë, dhe ka nevojë imediate për t’u kthyer individi, politika në radhë të parë dhe kushdo tjetër, te besimi. Me anën e besimit në Zot, edhe duke iu referuar së shenjtës, ne mundemi të ndërtojmë më të mirën për jetën tonë.

Duke pasur parasysh që ju jeni gjatë gjithë kohës në kontakt me besimtarë, gjatë takimeve tuaja, por një pyetje që vjen lidhur edhe me shoqërinë, me realitetin që është në Shkodër, ka rini e cila ka humbur shpresën nga ky vend?

E para, dua të them se ka rini që e ka zemrën të ndezur me besim edhe me optimizëm, edhe që punon dhe angazhohet ditë pas dite, brenda mundësive, edhe si të thuash nuk ka devijuar nga tabani dhe nga shinat e të jetuarit me dinjitet në këtë tokë dhe në këtë vend. Dhe kjo është shumë optimale. Po ashtu ka edhe të tjerë që e kanë humbur busullën, i dashur. Edhe është lëkundur, është lëkundur besimi, besueshmëria po them tek e sotmja, te realiteti i sotëm dhe mezi pret që të largohet. Po, është e vërtetë që ka dhe nuk mund ta mohojmë atë. Çdonjëri prej nesh është i ftuar dhe është i thirrur për të bërë më të mirën, që do të thotë se ne nuk e bëjmë më të mirën tonë dhe për këtë shkak, ne shohim këto realitete që shohim. Të gjithë ne neglizhojmë nga pak, duke filluar nga më i madhi te më i vogli. Të gjithë ne neglizhojmë nga pak dhe lëmë diçka mangët. Zoti na ruajt pastaj, të mendojmë se dikush, që ka në dorë të bëjë më të mirën, zgjedh të veprojë diçka tjetër që nuk është agjendë që i shërben vendit dhe kombit. A ka rini që e ka humbur shpresën? Po, ka rini që ka humbur shpresën dhe ne e kemi për detyrë që të lutemi për ata dhe të përpiqemi me ata, me sa të kemi mundësi, dhe ta ngremë zërin. Të ngremë zërin, kjo është ajo që ne mund të bëjmë. Edhe nëpërmjet bashkëpunimeve të ndryshme, të ofrojmë mundësi dhe alternativa për të ruajtur frymën e optimizmit sepse është shumë e dhimbshme. Është shumë e dhimbshme për një shoqëri që të shohë dhe të prekë rini në gjendje pesimizmi, d.m.th. rini dhe pesimizëm do të thotë shkatërrim për të ardhmen e kombit. Dhe ne nuk e duam këtë dhe punojmë për të kundërtën. Ne jemi thirrës të optimizmit, duart tona janë të lidhura me qindra apo me mijëra djem e vajza, që jetojnë me optimizëm dhe përcjellin optimizëm dhe e rrezatojnë atë në çdo moment dhe në çdo vend ku i ka vendosur Zoti në këtë jetë.

I nderuar Myfti, unë dua të prek edhe një tjetër pikë në këtë bisedë së bashku, duke u ndalur te besimi islam. Shpeshherë, mediet, opinioni e kategorizojnë Islamin si një fe të dhunshme, duke e lidhur shpeshherë me ngjarjet negative që trondisin sferën globale po them, nuk po them për Shqipërinë, por edhe në Shqipëri ka pasur raste të tilla, ku, duke e përkufizuar me myslimani bëri një akt të tillë dhe shpeshherë kategorizohen se myslimanët janë të dhunshëm. Pse ndodh një gjë e tillë?

E para, kjo është një fushatë islamofobie e dukshme, në rrafsh global, jo vetëm në Shqipëri. Në Shqipëri i ka tentakulat që në vitet e para të pasdiktaturës. Tentakulat e saj ne e dimë se prej ku dalin, edhe, si të thuash, ku qëndron ai burimi i tyre. Por edhe në rrafsh global, kjo është një politikë që duket se ka atë kurbën e saj me ulje-ngritje, një vend më shumë, një vend më pak, edhe si pasojë e kësaj kemi parë edhe shfaqje të çuditshme dhe një abuzim të çuditshëm, edhe krijesa të çuditshme në matricën e besimit islam. Kemi parë, si të thuash, disa modele dekadente që nuk kanë lidhje as me Islamin, as me thirrjen e Kuranit, as me traditën e Profetit Muhamed A. S., as me historinë e lavdishme të shekujve kur myslimanët drejtonin botën, në të gjitha drejtimet. Kemi parë modele të dhunës, të shkatërrimit, të vrasjeve, por të vrasjes së të pafajshmëve, të shkatërrimit. Kemi folur disa herë d.m.th., i kemi dënuar natyrshëm dhe nuk ka njeri normal, edhe i zhveshur nga petku i rrobave fetare, që ta pranojë atë. Nuk mund ta pranojë që në emër të fesë d.m.th., të vritet një i pafajshëm. Ç’është ajo fe? Ajo nuk është fe pastaj. Thirrja e Zotit, çfarë thirrje e Zotit është ajo? Çfarë Zoti është ai që më thotë mua shko dhe vrite tjetrin apo merrja shpirtin atij, apo shkatërroje atë? Kur Zoti na thotë që nuk ka dhunë në fe, që është gjëja më e shenjtë që kemi në jetë, të tjerat vijnë pas. Unë mendoj që kjo është një fushatë e përkohshme, ashtu sikurse kanë qenë të përkohshme, të ngjashme me këtë fushatë islamofobie, edhe në faza të ndryshme të historisë sonë. Po them të historisë islame në këta 15 shekuj që nga koha e Profetit Muhamed A. S. Frikë nga Islami? Kemi botuar në përpara disa vitesh si Myftini, një libërth që titullohet “Përse kjo frikë nga Islami?”. Dhe unë po them, përse kjo frikë nga Islami? Se Islami ju do të mirën, zotëri. Islami ju do të mirën, përse frika nga Islami? Islami vetë në zanafillë, është fe e paqes edhe e mëshirës. E përse kjo frikë nga Islami? Dhe prandaj them që këto janë disa fushata kalimtare, që i shohim të përhapen andej e këtej edhe për agjenda të caktuara të grupimeve, të lobingjeve, të klaneve të caktuara andej e këtej, për interesa të ngushta meskine. D.m.th. ne flasim nga vendi i besimit dhe nuk duhet të themi e të mendojmë se këtu, në këtë botë, ka vetëm të mirë dhe ka vetëm besim dhe ka vetëm optimizëm. Jo, ka edhe diçka që quhet shejtan. Është edhe shejtani, djalli i mallkuar. Edhe ai ka partinë e tij në zanafillën e krijimit të njeriut dhe jemi në sprovë.

Meqë jemi në një vend besimi, unë dua të ndalem pak edhe te rëndësia e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, një monument kulture, një vend tejet i rëndësishëm. Cila është rëndësia që mbart, por edhe situata në të cilën ndodhet tani Xhamia e Plumbit, është përmendur shpeshherë për rikonstruksione, për rikthimin e identitetit, për rikthimin e rëndësisë që mbart Xhamia e Plumbit. E di që për besimtarët ky është një vend shumë i rëndësishëm, por duhet të jetë për të gjithë, jo vetëm për besimtarët.

Atëherë, e para, Xhamia e Plumbit është në vendin e vet, është në identitetin e vet. Shyqyr Zotit është në këmbë dhe falë përkushtimit dhe aftësisë së atyre që e kanë ndërtuar, është kështu siç e shohim edhe sot e kësaj dite. U ka rezistuar shekujve, por i ka rezistuar edhe veprimit të gabuar, edhe përzgjedhjeve të gabuara të njeriut, të njeriut tonë të kësaj toke, të kësaj zone, të këtij vendi, që ka devijuar atë çfarë nuk duhej devijuar edhe si pasojë e devijimit dhe të rrjedhës së lumenjve ndodhin edhe përmbytjet. Unë po shoh tani edhe këtu afër, një përpjekje për të bërë disa argjinatura për të shpëtuar një zonë, por që jam i bindur se këto do ta përkeqësojnë edhe më tepër situatën e përmbytjes në këtë zonë ku jemi ne tani, që do të thotë se qeveria shqiptare në radhë të parë, ka për detyrë që të interesohet dhe të përkujdeset për argjinaturat mbrojtëse të kësaj zone ku është Xhamia e Plumbit, jo për Xhaminë e Plumbit, por për të gjithë këta njerëz që jetojnë në zonën përreth Xhamisë së Plumbit. Unë e kam thënë edhe për disa medie turke, që kjo si ndërtesë dhe si arkitekturë është arkitekturë e pastër arnaute, shqiptare, d.m.th. ai zotëria i nderuar Mimar Sinani, që ka ndërtuar ato kryeveprat me të cilat mburret sot Turqia, mbi bazën e asaj fryme e të asaj arkitekture, është ndërtuar edhe kjo xhami. Pra kjo, ia kam thënë edhe Kryeministrit Rama kur ishte për vizitë, kjo është një aritekturë e pastër shqiptare, arnaute, e arnautëve të periudhës së lavdishme osmane. Edhe mendoj se është në nderin e qeverisë shqiptare, por edhe të gjitha institucioneve të tjera, të partnerëve të qeverisë sonë, që të interesohen për t’u përkujdesur për meremetimin dhe rinovimin edhe rikonstruksionin, nëse vlen ta themi kështu, të Xhamisë së Plumbit, minarja, rrethimi e kështu me radhë, është një projekt i gjerë e i gjatë. Unë e kam përmendur edhe më përpara, edhe kur ishte kryeministri për vizitë, që ne patjetër që duhet të jemi mirënjohës pa fund për atë deklaratë, ndoshta-ndoshta edhe historike, të Presidentit Erdoan, i cili e tha publikisht se “ne do ta marrim përsipër atë projektin e Xhamisë së Plumbit”. Edhe unë besoj te premtimet e atij burri të madh, edhe besoj edhe te bashkëpunimet e dobishme të qeverisë sime me qeverinë turke sot, edhe mezi po presim që të nisë puna për t’u mbyllur përkohësisht Xhamia e Plumbit dhe për t’u rihapur pastaj ashtu siç i takon me madhështinë dhe bukurinë e saj të trashëguar.

I nderuar Myfti, unë të falënderoj shumë për këtë intervistë. Pa dyshim që ne kemi shumë tema për të diskutuar, por për efekt edhe të minutazhit, këto kanë qenë disa prej pikave kryesore, por duke u përqendruar te 16 nëntori, por edhe te situata e shoqërisë shqiptare, në mënyrë të veçantë e familjes. Të falënderoj shumë që gjete kohën për këtë intervistë së bashku!

Faleminderit! Kënaqësi!

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ola: 21/11/2021 10:31

    Feja duhet ndar nga politika.Jemi shtet ateist,te pakten ne leter,dhe hoxha te predikoj ne xhami e jo te bej politik.

    Përgjigju
  • Iris: 21/11/2021 00:26

    Familja nuk preket,perkundrazi me dhenien e te drejtave per martese e biresim grupeve LGBTI,ka per t'u pasuruar,zgjeruar dhe bere me tolerante.

    Përgjigju
    • Nedidi: 21/11/2021 10:00

      Vetem familje nuk eshte me.

  • Shqip: 20/11/2021 16:50

    ..edhe Hoxha mos bëjë Politikë!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?