Një 'luftë' e përditshme është ajo që po zhvillohet në PD, tashmë të ndarë në dy kampe, mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, teksa 'beteja' më e fundit ishin sulmet ndaj kryedemokratit nga mbështetës të Berishës gjatë takimit të tij me gratë demokrate.
Pikërisht ajo që po ndodh në partinë më të madhe opozitare në vend ishte tema e diskutimeve mbrëmjen e sotme në 'Repolitix'. Anëtari i Këshillit Kombëtar, Përparim Çaça e konsideroi situatë absurde sulmin e mbështetësve të Berishës ndaj Bashës, në kushtet kur ai po zhvillon takime me demokratët. Mbështetësit e Berishës ai i krahasoi me 'vullnetarët e Enverit'.
"Kush është shqetësimi që duhet të dalin disa njerëz, si vullnetarët e Enverit, me pankarta e duke thirrur mos bëhet mbledhje me gratë. S'ka asgjë spontante, është karikuar nga politika. Kjo është gjë e gabuar që na përçanë dhe më shumë. Ta lëmë Bashën të shkojë në bazë, ka apo jo mbështetje. Si ka mundësi të ndodhë kjo, linçime,po nxjerrin gjëra pa lidhje. Basha po takon demokratët dhe të privosh që nuk mund t'i takosh... Këto lloj më mënyrash si përpara plenumeve janë të gabuara dhe nuk të çojnë askund", tha ai.
Ndërkohë në lidhje me zgjedhjet në 6 Bashki që janë pa kryetar, Çaça tha se në gjendjen ku është PD, ata mund të fitojnë vetëm dy prej tyre, Dibrën dhe Shkodrën, teksa theksoi se Berisha do t'i sabotojë.
"Ndoshta marrim 2 bashki, besoj Dibrën dhe Shkodrën. Por nuk marrim më shumë. Mund të ndodhë është që pala tjetër mund të bëjë ç'është e mundur, edhe duke bojkotuar në mënyrë që Basha të dalë i humbur.
Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar, Gent Malko u shpreh se Berisha nuk do të jetë 'makthi' i fundit i Bashës dhe se të tjerë e presin atë. Për Malkon, lëvizjet dhe ndryshimet që Basha ka bërë në parti, me përjashtimet dhe emërimet, do të jenë si 'minë' për të.
"Konflikti nuk është mbyllur, sa kohë është e paqartë kush do jetë kryetari i partisë, ne do shohim këtë lloj presioni e konflikti. Pas sulmit për godinën do shohim njerëz që do mblidhen për t'ja nxirë jetën Bazës, për ta mërzitur. E vetmja rrugë është do shkohet në bazë për të ndarë në fund. Ato parullat dhe goditja me vezë më bënë përshtypje. Ne kemi thirrur 'Nano ik', pastaj 'Rama ik', tani jemi 'Basha ik', po pak më shumë fantazi se kemi 20 vite që ndjekim të njëjtën gjë. Problemet më të mëdha Basha nuk i ka me këta, çështja do mbyllet me vendimin e gjykatës. Berisha është makthi i sotëm, por në vazhdim do ketë makthe të tjera. E ka mbajtur PD për 8 vite me hijen e Berishës. Ne nuk e hiqnim dot se kishim kundërshtar Berishën jo Bashën. Sot ai duhet të mbajë partinë pa hijen e Berishës, por a ka mundur ai të krijojë profilin e vet sa për të qenë i padiskutueshëm nëse do të ketë humbje në zgjedhjet e radhës? Mënyrën si e ka konceptuar PD, do të jetë minë për të. Mungesa e personalitetit të mjaftueshëm politik, atij sa i kanë nisur problemet. E ka minuar partinë. Në bindjen time PD ka vdekur dhe do degradojë. Në zgjedhjet lokale, do të hynë veç e veç", u shpreh Malo.
Nga ana tjetër, për Aulon Kalanë, anëtar i Këshillit Kombëtar, shqetësim mbetet fakti se Bsha lëviz i shoqëruar me polici. Ai argumenton se nuk është normale që PD të drejtohet nga një njeri i tillë dhe se ajo që po ndodh në PD, është shumë e rëndë.
"Është e rëndë që kryetari i një partie të lëvizë me policë, me mbrojtje nga garda. Mban çadër që mos e godasin, nuk është normal për një kryetar opozite. Nuk është normale që PD të ketë një njeri të tillë. Kjo që po ndodh me PD është shumë e rëndë", theksoi ai.