Popullsia e rajonit të Idlib në Siri më në fund mund të marrë sadopak frymë pas marrëveshjes së djeshme për armëpushim që ka hyrë në fuqi nga mesnata e mbrëmshme, e nënshkruar nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Presidenti rus Vladimir Putin.
Erdogan tha se "Gjatë këtij procesi Turqia rezervon të drejtën të reagojë me të gjitha forcat e saj dhe kudo, kundër çdo sulmi që mund të kryhet nga regjimi i Asad".
"Forcat e regjimit sirian - shtoi ai - kanë shkelur marrëveshjet e mëparshme duke detyruar banorët e Idlib të marrin arratinë dhe të zhvendosen përgjatë kufirit turk. Asad- tha Erdogan- dëshiron të fshijë nga faqja e dheut civilët në atë rajon por Turqia nuk do rri duke parë”.
Presidenti rus shprehu shpresën se marrëveshja do t'i japë fund vuajtjeve të civilëve, ndërsa justifikoi veprimet ushtarake të regjimit të Damaskut.
"Ne- tha Putin- mbrojmë parimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë dhe nuk mund të lejojmë dobësimin e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar".
Marrëveshja përfshin gjithashtu krijimin e një zone tampon 6 km përgjatë autostradës që lidh rajonin me kryeqytetin, e cila do të kontrollohet bashkërisht nga Moska dhe Ankaraja.
Armëpushimi vjen në kohën kur përshkallëzimi ushtarak ka arritur kulmin teksa dhe para pak ditësh nga sulmet ajrore të forcave të Asadit u vranë 30 ushtarë turq. Paskësaj, forcat e Ankarasë filluan një kundërsulm masiv, duke përdorur drone luftarak që shkaktuan humbje të mëdha në forcat e regjimit.