Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, duke folur para deputetëve të partisë së tij AKP tha se "Nga sot e tutje, nëse ushtarët tanë në postet e vëzhgimit në Idlib do dëmtohen, ne do të godasim forcat e regjimit sirian kudo, pa u kufizuar nga kufijtë e memorandumit të Soçit".
Duke vazhduar kërcënimet e tij ndaj regjimit të Bashar al Asad, Erdogan tha se "aty ku do të derdhet gjaku i ushtarëve tanë, askush nuk do ta ketë jetën e sigurt" dhe se " Turqia nuk do të jetë spektatore", duke shtuar se në 10 ditët e fundit janë vrarë 14 ushtarë turq nga artileria e Asad.
Megjithë marrëveshjen midis Turqisë dhe Rusisë, ushtria e Damaskut, e mbështetur nga Moska, nisi në muajin dhjetor një ofensivë për të rimarrë kontrollin e krahinës së Idlib në veriperëndim të Sirisë dhe për ta hequr atë nga duart e milicisë rebele që mbështetet nga Turqia.
Ofensiva e Asad nuk po kursen as popullsinë civile teksa më shumë se 600 mijë refugjatë janë vendosur në kufirin turk.