Dorëheqja e kryeministrit italian Giuseppe Conte ditën e djeshme, ka futur vendin në një krizë të thellë politike. Pas takimit me Presidentin e Republikës Sergio Mattarella, u vendos që Conte të mbetet ende në detyrë për zgjidhur problemet që ka vendi për shkak të pandemisë, deri në gjetjen e një zgjidhje. Mattarella nis sot konsultimet në presidencë me të gjitha palët dhe vetëm pasi të jenë dëgjuar të gjitha palët, ai do të dalë me një vendim. Por cilat janë skenarët e mundshëm?
1.Conte mund të rizgjidhet kryeministër falë grupit “të përgjegjshmëve” të krijuar së fundmi në Senat.
Presidenti Sergio Mattarella mund t’i besojë sërish Giuseppe Contes detyrën e formimit të një qeverie të re, dhe ky i fundit e pranon nëse është i sigurt për një shumicë të re në parlament pa parlamentarët e Italia Viva të Matteo Renzit, por me “të përgjegjshmit” ose “ndërtuesit”.
2. Mund të krijohet qeveria “Conte 3”, me Matteo Renzin si aleat, por me një kabinet të ri qeveritar
Ekziston mundësia që gjithashtu një qeveri e re të lindë sërish me Italia Viva por me një riorganizim thelbësor të ekipit qeveritar. Prandaj kryeministri mund të mbetet i njëjtë, por ministrat do të ndryshojnë.
3.Mazhoranca mbetet e njëjtë, por ndryshon kryeministri
Presidenti i Republikës mund të caktojë një negociator, zakonisht një figurë institucionale me profil të lartë, që të verifikojë një shumicë të mundshme në parlament me synim sheshimin e ndryshimeve.
4. Qeveri me bazë të gjerë, me një kryeministër tjetër
Kjo është kërkesa e Forza Italia, një qeveri e unitetit kombëtar, për të shmangur zgjedhjet e reja, në një periudhë tejet të vështirë të vendit, në përballje me pandeminë.
5. Do shkohet sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare
Skenari që nuk e dëshiron pothuajse askush. Prandaj, ky është në fakt skenari më pak i mundshëm. Në fakt, nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje tjetër, presidentit Mattarella nuk do t’i mbetet gjë tjetër përveçse ta shpërndajë parlamentin dhe të shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Nëse vendoset për një kryeministër të ri, atëherë në vendin fqinjë lakohen disa emra. I pasi që mund të diskutohet është Luigi Di Maio, ministër i jashtëm në Kabinetin e Conte-s dhe lideri i Lëvizjes 5 Yjet. Edhe pse ai është mbështetës i Conte, nëse dështojnë përpjekjet për krijimin e një qeverie të re, atëherë emri duket mjaft i besueshëm në politikën italiane.
Dario Franceschini, është një emër tjetër i lakuar, pasi ai njihet si një nga emrat më të nxehtë të krijimit të aleancave. Në këtë rast, Franceschini mund të siguronte mbështetjen e grupit të ri të të përgjegjshmëve, Forca Italia dhe Italia Viva, përveç Partisë Demokratike.
Lorenzo Guerini, është një emër tjetër i lakuar, ministri i mbrojtjes në largim. Po ashtu është diskutuar emri i Mario Draghi, ish-numri një i Bankës Qëndrore Europiane duket se është emri i vetëm i mundshëm në rast të një qeverie me të gjithë brenda.