Nga sot deri më 30 shtator, Kuvendi i Kosovës nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim për konstituimin dhe formimin e qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Vendimi u dha sot nga Gjykata Kushtetuese, pas ankesës së bërë nga Lista Serbe lidhur me votimin për zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit.
Më 30 gusht, 9 deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran Adem Hoxha iu drejtuan Kushtetueses për shkelje të rëndë të të drejtave të pakicës serbe pasi kryetari i sapozgjedhur Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras nënkryetarët e pakicave dhe më pas përdori shortin për kandidatët për nënkryetarin serb.
Gjykata argumenton se pa vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese gjatë seancës së 30 gushtit, kur kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli të përfunduar konstituimin e Kuvendit pa u zgjedhur nënkryetari serb, "është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit".
"Gjykata, më 4 shtator 2025, ka vendosur njëzëri: TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë; TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025;", thuhet në vendimin e gjykatës.
Kriza politike disa mujore u duk sikur u zgjidh kur më 26 gusht Dimal Basha i Lëvizjes Vetëvendosje u zgjodh kryetar i Kuvendit me 73 vota. Më pas u zgjodhën edhe tre nënkryetarët nga partitë shqiptare, Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala. Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga pakicat joserbe, por konstituimi ngeci te votimi i kandidatit për nënkryetar nga pakica serbe.
Deputetët refuzuan kandidatin e Listës Serbe, Sllavko Simiç. Lista Serbe nuk pranoi të propozonte një emër tjetër, duke bërë që Basha të hidhte short për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb. Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiç nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, aktualisht ministër në detyrë në qeverinë e Albin Kurtit.
As Rashiç nuk mori vota të mjaftueshme, ashtu si edhe deputetët e tjerë të Listës Serbe. Basha tha se e konsideronte të mbyllur seancën konstituive dhe se puna e Kuvendit nuk mund të bllokohej nga moszgjedhja e nënkryetarit.
Komente
