Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese nga Lista Serbe e sheh si një mekanizëm për të bllokuar totalisht jetën institucionale të shtetit të Kosovës. Këtë të martë ajo i dërgoi disa komente Gjykatës Kushtetuese pas aktgjykimit të saj që ka ndaluar parlamentin dhe presidencën deri në 30 shtator të zgjedhë qeverinë e re.
“Në rrethana kur bllokohet puna e Kuvendit, përkundër faktit që kryesia ka kuorum, pamundësohet ushtrimi i sovranitetit. Bllokimi i Kuvendit për mos përzgjedhjen e një nënkryetari, përderisa kryesia ka kuorum, do ta cenonte në mënyrë serioze edhe themelet mbi të cilat është ndërtuar republika jonë”, u shpreh Osmani.
Sipas Presidentes, fakti që nuk u zgjodh nënkryetari serb i parlamentit nuk cënon të drejtat e kësaj partie apo komunitetit që përfaqëson.
“Po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti në tërësi. Një shtet pa institucione është shtet i dështuar. Përderisa kemi kryetar, ka kuorum dhe kryesi, Kuvendi nuk duhet të bllokohet. Pozita që i takon komunitetit serb mbetet për komunitetin serb. Askush nuk do ta zërë atë vend, ai do të plotësohet në një seancë të radhës”, shtoi ajo.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës javën e kaluar vendosi që parlamenti dhe presidenca të mos zhvillojnë asnjë procedurë për zgjedhjen e qeverisë së re, pra që Osmani të mos mandatojë Kurtin për kabinetin e ri dhe Parlamenti të mos zhvillojë votim për të. Shkak u bë një kërkesë e Listës Serbe, sipas së cilës, parlamenti nuk është konstituuar sepse nënkryetari që i takon kësaj force nuk është zgjedhur.
Në seancën konstituive, Lista Serbe propozoi vetëm një alternativë për nënkryetar që nuk ia doli të marrë votat e nevojshme. Më pas emra të saj në mënyrë të çrregullt u votuan pas shortit, gjithashtu duke mos u miratuar. Kreu i Kuvendit, Dimal Basha e cilësoi më pas parlamentin të konstituuar.
Komente
