Krizat/ Angjeli: S’ka kaluar e keqja më e madhe, vështirësi në ekonomi deri në fund të 2023! Civici: Përshtatja me teknologjinë po pasuron kombet

26 Dhjetor 2022, 22:34| Përditesimi: 27 Dhjetor 2022, 07:26

  • Share

Krizat që kanë goditur botën gjatë viteve të fundit kanë shkaktuar rritje të çmimeve kudo. Pandemia e Covid-19, lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike goditën bizneset në mbarë botën dhe të vetmet që ia dolën të mbijetojnë ishin ata që u përshtatën me situatën dhe u drejtuan nga teknologjia.

Kështu shprehen Anastas Angjeli dhe Ardian Civici në një intervistë për ‘5 pyetjet nga Babaramo’ në Report Tv. Ish deputeti socialist Angjeli u shpreh se në kushtet e izolimit, ekonomia arriti të përshtatej me teknologjinë ndërsa dega që pësoi transformimin më të madh ishte shëndetësia për shkak të ilaçeve që kërkoheshin në mbarë botën për t’u kuruar nga Covid-19. Ndërsa eksperti i ekonomisë Ardian Civici u shpreh se krizave nuk arritën t’i mbijetojnë dot ndryshimeve teknologjike. 

Anastas Angjeli: Izolimi ishte i dëmshëm për ekonominë por duhet të kuptojmë që ishte dhe një oportunitet. Kriza e koronavirusit hapi disa shtigje të reja të zhvillimit ekonomik. Nga një anë shkonim në mbylljen e disa lloj bizneseve dhe nga ana tjetër u hapën disa drejtime. Në shëndetësi pati zhvillim shumë të madh prej mbështetjes që iu dha sektorit të shëndetësisë. Së dyti në vendet e reja të punës. Teknologjia, në 3-4 vitet e fundit pas koronavirusit ishte më i avancuari dhe hapi më shumë vende pune. Kjo i dha ristrukturim ekonomisë për t’iu përshtatur situatës dhe kushteve. Po ta lidhim dhe me krizën tjetër kuptojmë se ka ndryshim gjeopolitik dhe gjeoekonomik se kanë ndryshuar grupimet. Kjo ngre pyetjen si duhet të zhvillohen ekonomitë vendase, a duhet të riorientohen ekonomitë në prodhimin e drithërave? Të gjitha kanë bërë që jo me një urdhër nga lart por vetë bizneset janë revolucionarizuar për të zhvilluar atë sektor ku ne ndjejmë vështirësi nga kriza.

Ardian Civici: Jo vetëm komunikimi që u bë nga shtëpia dhe shumë shërbime u dixhitalizuan por dhe vetë mënyra e organizimit u dixhitalizuan në kuptimin që u krijuan forma të reja tregtie e prodhimi. Të gjithë bizneset që nuk janë përshtatur me teknologjitë e reja nuk i kanë mbijetuar dot krizave. Sot janë të rëndësishme produktet jomateriale. Bota ka hyrë në një fazë të re që po marrin të ardhurat më të mëdha. Kombet që pasurohen më me shpejtësi janë ato që janë përfshirë në ritmet e ndryshimeve teknologjike. Të gjithë kombet që janë të hapur karshi dijes, revolucioni vjen shumë shpejt.

Po ashtu Anastas Angjeli u shpreh se deri nga fundi i vitit 2023, ekonomitë nëpër botë do të jenë ende në përpjekje për të përballuar pasojat e krizës.

“S’mund të themi që e keqja më e madhe ka kaluar. Parashikohet që deri nga fundi i vitit të ardhshëm, ekonomitë do jenë në përpjekje për ta përballuar këtë krizë. Krizat duke u pleksur me njëra-tjetrën kanë sjellë probleme të mëdha dhe derisa të gjendet burime alternative duhet kohë. Duhen para dëmet që sjellin krizat dhe oportunitetet”, tha Angjeli.

Eksperti Ardian Civici u shpreh se Shqipëria u godit më së shumti gjatë vitit 2020 por situata u përmirësua nga sektori i turizmit.

“Në 2020, Shqipëria kishte 560 milionë euro dëm. Ajo që e amortizoi pak goditjen ishte sektori i turizmit, ndërtimi që ka qenë në rritje dhe bujqësia e industria agropërpunuese reaguan mirë. Më pas transporti e biznese të tjera pësuan goditjen më të madhe por 2022 ishte viti më i vështirë”, tha Civici.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?